Civilët vazhdojnë të jenë të bllokuar në fabrikën e çelikut në Mariupol

Dhjetëra civilë ukrainas, përfshirë gra dhe fëmijë, mbetën të bllokuar të enjten në bunkerë nëntokësorë në fabrikën e çelikut të qytetit të shkatërruar të Mariupolit, megjithëse Presidenti rus Vladimir Putin tha se Rusia ishte gati t'i lejonte të largoheshin të sigurt.

Presidenti Putin i tha Kryeministrit izraelit Naftali Bennett në një telefonatë se Rusia vazhdonte të ishte e gatshme për të siguruar një kalim të sigurt për civilët nga fabrika e rrethuar Azovstal dhe se Kievi duhet t’i urdhëronte luftëtarët ukrainas që e mbrojnë atë që të hidhnin armët.

Por një luftëtar ukrainas i cili tha se ishte i izoluar në kompleksin që është pjesa e fundit e qytetit port ende në duart e Ukrainës, akuzoi forcat ruse për shkelje të perimetrit mbrojtës të fabrikës për të tretën ditë me radhë, në kundërshtim me një premtim të mëparshëm nga Moska se do të ndalonte aktivitetin ushtarak për të lejuar evakuimin e civilëve.

"Betejat e rënda dhe të përgjakshme po vazhdojnë," tha kapiteni Sviatoslav Palamar, zëvendës komandant i Regjimentit Azov të Ukrainës, në një video të postuar në internet.

"Rusët e kanë shkelur përsëri premtimin për armëpushim dhe nuk u kanë dhënë mundësinë civilëve që kërkojnë strehim në bodrumet e uzinës të evakuohen," tha ai. Agjensia e lajmeve Reuters nuk mundi të verifikonte në mënyrë të pavarur videon dhe vendin nga po fliste ai.

Këshilltari i presidencës ukrainase Oleksiy Arestovych tha gjithashtu se luftimet kishin vazhduar në fabrikë, por nuk dha detaje. Ushtria ruse nuk komentoi menjëherë.

Mbrojtja e ashpër e Azovstalit nga ukrainasit ka nxjerrë në pah dështimin e Rusisë në përpjekjet për të marrë nën kontroll qytetet kryesore.

KORIDORET HUMANITARE

Ushtria ruse kishte premtuar të ndalonte aktivitetin e saj në Azovstal gjatë ditës së së enjtes dhe dy ditët në vijim për të lejuar largimin e civilëve, pasi ato që luftëtarët ukrainas i kanë cilësuar si "beteja të përgjakshme" penguan evakuimet të mërkurën. Kremlini tha se korridoret humanitare nga fabrika ishin vendosur.

Megjithatë, askush nga ata që ishin brenda Azovstalit nuk ishte mes më shumë se 300 civilëve të evakuuar të mërkurën nga Mariupoli dhe zona të tjera në Ukrainën jugore, tha zyra humanitare e OKB-së.

Zyrtarët ukrainas besojnë se rreth 200 civilë mbeten të bllokuar së bashku me luftëtarët në një rrjet të gjerë bunkerësh nëntokësorë të fabrikës.

Në një fjalim herët në mëngjes, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy tha se Ukraina ishte gati për të siguruar një armëpushim.

"Do të duhet kohë thjesht për të nxjerrë njerëzit nga ato bodrume, nga ato strehime nëntokësore. Në kushtet aktuale, ne nuk mund të përdorim pajisje të rënda për të pastruar rrënojat. Gjithçka duhet të bëhet me dorë," tha zoti tha zoti Zelenskiy.

Shefi i Shtabit të përgjithshëm ushtarak të Ukrainës tha se sulmi ndaj uzinës përfshinte mbështetje ajrore.

Kryekomandanti i forcave të armatosura të Ukrainës tha se u duheshin sisteme të shumta raketash për t'u mbrojtur kundër sulmeve të rifilluara të raketave ruse në të gjithë vendin. Rusia ditët e fundit ka sulmuar hekurudhat, depot e armëve dhe depot e karburantit.