Kongresi amerikan është tronditur nga një dokument i Gjykatës së Lartë amerikane, që rrodhi në shtyp, ku tregohet se gjykata mund të vendosë të rrëzojë vendimin e marrë për çështjen “Roe kundër Wade”, që legalizoi abortin në Shtetet e Bashkuara rreth 50 vite më parë. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Katherine Gypson, republikanët konservatorë, që kanë punuar prej dekadash për këtë qëllim, e lavdëruan projektvendimin e gjykatës, kurse ligjvënësit demokratë u zotuan ta kundërshtojnë atë.
Your browser doesn’t support HTML5
Është rikthyer sërish në vëmendje një nga debatet më të nxehta të Amerikës.
“Jam jashtëzakonisht e zemëruar, sepse një Gjykatë e Lartë ekstremiste, pesë persona, mendojnë se mund t’u imponohen dhjetëra miliona grave në mbarë vendin. Vendimet që ne marrim për jetën tonë, për ta janë të gabuara”, tha Senatorja demokrate Elizabeth Warren.
Edhe ata që e kundërshtojnë abortin reagojnë me emocion.
“Kjo ka domethënie të madhe për ne. Ky është momenti për të cilin kemi luftuar. I kemi parë trupat e vdekur. Kemi parë trupat e shpërfytyruar të viktimave të abortit”, thotë Kristin, kundërshtare e të drejtës së abortit.
Ligjvënësit demokratë kritikuan dokumentin, që zbuloi se shumica e anëtarëve të gjykatës më të lartë amerikane mbështesin heqjen e së drejtës për të abortuar. Nëse gjykata rrëzon vendimin historik të marrë 50 vjet më parë, që legalizoi abortin, demokratët thonë se kjo do të ketë një ndikim të gjerë.
“Të drejtat e grave në Amerikë po sulmohen. Nëse gjykata rrëzon vendimin për “Roe kundër Wade”, ky do të jetë një sulm i drejpërdrejtë ndaj lirisë, ndaj së drejtës themelore për vetëvendosje, që u takon të gjithë amerikanëve”, tha Nënpresidentja Kamala Harris.
Por, megjithëse nënpresidentja ka të drejtën e hedhjes së votës përcaktuese në Senat, duke i dhënë kështu kontrollin demokratëve, drejtuesi i shumicës në Senat, Chuck Schumer, nuk i ka votat e mjaftueshme për të miratuar një ligj, që do ta mbronte të drejtën e abortit në nivel federal. Ai tha se sidoqoftë do të kërkojë të votohet për këtë javën e ardhshme.
“Çdo amerikan duhet të shohë se ku qëndron secili senator. Zgjedhjet e këtij nëntori do të kenë pasoja, pasi të drejtat e 100 milionë grave do të përcaktohen nga votat që do të ndihmojnë për ta luftuar këtë vendim të tmerrshëm të gjykatës”, tha zoti Schumer.
Rrëzimi i vendimit për çështjen Roe kundër Wade do ta vendoste temën në epiqendër të zgjedhjeve të mesmandatit. Në rang kombëtar, rreth 54% e amerikanëve mbështesin abortin e ligjshëm.
Konservatorët kanë punuar me vite për të rrëzuar vendimin e çështjes Roe kundër Wade, dhe shumë mbështetën ish-Presidentin Donald Trump për shkak të gjykatësve anti-abort që ai emëroi në Gjykatën e Lartë.
“Lufta për të mbrojtur jetën i përmbahet idealeve tona më të larta, pasionit tonë për drejtësi, përkushtimit tonë ndaj të drejtave të njeriut, dhe dhimbshurisë për të pafajshmit dhe të pambrojturit. I jam mirënjohës të gjithë amerikanëve që luftuan për t’u siguruar se do të mbrohet e drejta e qenieve të pambrojtura njerëzore për të jetuar”, tha John Thune, senator republikan.
Por, kreu i republikanëve në Senat paralajmëroi se gjykatësit ende nuk kanë nxjerrë një opinion përfundimtar dhe se nuk duhet të influencohen nga rrjedhja në shtyp e një projektvendimi.
“Gjykata duhet të mos ndikohet nga zhurma nga jashtë dhe anëtarët e saj duhet të ndjehen krejtësisht të lirë të bëjnë punën e tyre. Ata duhet të ndjekin faktet dhe orientimin që jep ligji”, tha Senatori McConnell.
Gjykata e Lartë amerikane pritet të publikojë një opinion përfundimtar gjatë javëve në vazhdim. Nëse merret vendimi i pasqyruar në dokumentin e rrjedhur në shtyp, kjo do ta bëjë pothuajse menjëherë të paligjshëm abortin në 13 shtete amerikane dhe do të çelë rrugën për 19 shtete të tjera që të miratojnë ligje për ta ndaluar këtë proçedurë.