Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës u bëri thirrje të martën politikanëve që të krijojnë kushte për luftimin e pandëshkueshmërisë së sulmeve ndaj gazetarëve.
Këto thirrje u bënë në një veprimtari të organizuar në qendër të Prishtinës në kuadër të shënimit të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, e cila e gjen Kosovën të renditur shumë më mirë në Treguesin Botëror të Lirisë së Shtypit të publikuar sot nga Organizata Gazetarët pa Kufij. Kosova sipas këtij treguesi ka shënuar një ngritje prej 17 vendesh duke u renditur në vendin e 61-të ndryshe nga një vit më parë kur ishte në vendin e 78-të.
Your browser doesn’t support HTML5
Megjithatë Kosova është në mesin e vendeve problematike dhe sipas organizatës, gazetarët janë rregullisht në shënjestër të sulmeve politike, në shënjestër të padive SLAPP, të përdorura nga grupet e biznesit dhe politikanët dhe se në përgjithësi, mediat janë të varura nga reklamat qoftë nga qeveria, qoftë nga partitë politike, që i bën redaksitë e mediave private më të pambrojtura përballë ndërhyrjeve të grupeve të fuqishme politike ose të biznesit nëpërmjet pronarëve të mediave.
Sipas Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, vetëm gjatë vitit 2022 janë shënuar 12 raste të formave të ndryshme të sulmeve dhe trysnisë ndaj gazetarëve.
Kryetari i këtij asociacioni, Xhemajl Rexha tha për Zërin e Amerikës se një pjesë e këtyre kërcënimeve janë bërë nga njerëz të veshur me pushtet.
“Njerëz të lidhur me partinë politike në pushtet dhe kjo është super shqetësuese për sigurinë e gazetarëve kur janë pikërisht njerëzit që duhet të përkujdesen dhe të punojnë që të garantojnë një mjedis të sigurt të ushtrimit të profesionit të gazetarisë në krye të këtyre kërcënimeve që janë nxitëse për një pjesë tjetër të njerëzve që i bëjnë shënjestër të lehtë gazetarët”, tha ai.
Zoti Rexha thotë se kjo sjellje e pushtetit e kombinuar me mostransparencën që ka mbizotëruar gjatë tërë vitit të kaluar po e bën punën e gazetarit shumë të vështirë. Ai thotë se politikanët po përpiqen të fshehin skandalet përmes sulmeve ndaj gazetarëve gjë që sipas tij paraqet kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj sigurisë së tyre.
“Në përgjithësi sikurse për secilin sektor tjetër në fakt drejtësia nuk i jep përparësi rasteve të gazetarëve, rastet ndaj gazetarëve, sulmet ndaj tyre që merren nga drejtësia marrin shumë kohë për të dhënë verdikt dhe kjo i dekurajon gazetarët në rend të parë që edhe të nisin procedurat për t’i çuar në gjykatë sulmuesit”, tha zoti Rexha.
Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, përmes një komunikate tha se Kosova mbetet një mjedis mediatik pluralist dhe i gjallë, por me shqetësimet në lidhje me fushatat e shpifjeve publike, kërcënimeve dhe sulmeve fizike ndaj gazetarëve”.
Edhe në raportin për të drejtat e njeriut në botë në vitin 2021, të Departamentit amerikan të Shtetit theksohet se qeveria në përgjithësi e respektoi të drejtën e shprehjes, por disa zyrtarë publikë, politikanë, biznese dhe grupe fetare u përpoqën të frikësonin përfaqësuesit e medias. “Problemet e financimit gjithashtu dëmtuan pavarësinë e medias”, thekson ky raport.
Qeveria e Kosovës tha të martën se i gëzohet përparimit të lirisë së mediave duke e konsideruar atë si sukses të përbashkët. Përmes një komunikate, qeveria tha se do të vazhdojë të angazhohet me përkushtim që mediave dhe punëtorëve të këtij sektori t’u krijojë mjedis më të sigurtë dhe të përshtatshëm, për të ushtruar të lirë dhe të papenguar profesionin e tyre.