Lufta e Rusisë në Ukrainë hapi një fushë beteje për dezinformimin. Por si ndikon propaganda në lirinë e medias? Indeksi i Lirisë së Shtypit 2022 nga organizata Gazetarët pa Kufij I jep përgjigjen kësaj pyetjeje.
Propagandë, ligje që synojnë diskreditimin e mediave të besueshme, ndalime në internet, arrestime. Sulmi i Moskës ndaj shtypit të lirë u shtua pasi trupat ruse sulmuan Ukrainën.
Your browser doesn’t support HTML5
Pas këtyre veprimeve, vlerësimi i Rusisë për lirinë e medias ra, duke e zhvendosur atë më pranë fundit në Indeksin Botëror 2022 për Lirinë e Shtypit, të hartuar nga organizata Gazetarët pa Kufij.
Indeksi vjetor klasifikon një numër rekord prej 28 vendesh "me liri shumë të keqe shtypi". Aty përfshihet Kina, e cila po eksporton censurë përtej kufijve të saj, ndërsa Kremlini ka shtuar ndjeshëm propagandën.
Nën ndikimin e Pekinit, Hong Kongu regjistroi një rënie dramatike në klasifikim, duke u renditur në vendin e 148 nga 180 vendet, pas një sërë bastisjesh dhe arrestimesh që mbyllën faqet e lajmeve pro-demokracisë.
Etiopia dhe Nikaragua gjithashtu regjistruan rënie të mëdha pas veprimeve të autoriteteve për të shtypur, censuruar ose bllokuar mediat.
Më shqetësues, thotë organizata Gazetarët Pa Kufi, është ndikimi që polarizimi dhe dezinformimi mediatik ka në shoqëri.
“Në vitin 2022, është vërtet e pamohueshme që polarizimi i medias dhe kaosi i informacionit po nxisin me të vërtetë ndarjet sociale në mënyra që janë mjaft të reja”, thotë Clayton Weimer me organizatën Gazetarët Pa Kufij.
Kapja e pushtetit ndikoi gjithashtu në mjedisin mediatik, duke fshirë në disa raste përparimin ndër vite të bëra në disa vende.
Grushti i shtetit në Mianmar shënoi një zbrapsje 10-vjeçare për të drejtat e medias, me gazetarë të arrestuar, licenca të hequra të mediave dhe me shumë media që u kthyen përsëri në mërgim.
Në Afganistan, talebanët u zotuan të mbështesin lirinë e shtypit, por në vend të kësaj vendosën ligje kufizuese dhe ndaluan gazetaret gra nga valët e transmetimeve. Mediat po përballen me vështirësi financiare pasi ndalimet e programeve argëtuese dhe reklamat ulën të ardhurat.
Lufta në rajonin Tigray, me ndërprerjet e komunikimit dhe qasjen e kufizuar, rezultoi në një rënie prej 13 pikësh të Etiopisë, në vendin e 114 të indeksit. Një rezultat zhgënjyes, për një vend që vetëm tre vjet më parë u përshëndet për reformat e tij.
Prirjet në rënie dhe taktikat autoritare janë përhapur, thotë organizata.
“Kur ne lejojmë të ekzistojë një kulturë e mosndëshkimit, ku regjimet autoritare lejohen të ndjekin gazetarët, t'i frikësojnë, arrestojnë, rrahin në rrugë dhe t'i vrasin, kjo ka një efekt goditjeje të vazhdueshme. Kjo i inkurajon udhëheqësit autoritarë t’i përsërin këto veprime dhe u jep guxim edhe autoritarëve të tjerë, që janë duke vëzhguar, të bëjnë të njëjtën gjë”, thotë Clayton Weimers.
Shtetet e Bashkuara bënë një përmirësim të lehtë në krahasim me vitin 2021, por gazetarët dhe organet e medias po vënë në pah pengesat në mbulimin e ngjarjeve, përfshi protestat dhe aktivitetet e qeverive shtetërore.
“Zakonisht shohim se kjo vjen ose për shkak të një shpërfilljeje të hapur ndaj ligjeve që rregullojnë mbledhjet apo grumbullimet e hapura, ose thjesht këto ligje po i keqinterpretojnë. Po keqinterpretohet fakti nëse një gazetar mund të jetë i pranishëm në një ngjarje të caktuar”, thotë Ben Francesco me Institutin e Gazetarisë “Natonal Press Club”.
Demokracitë luajnë një rol të rëndësishëm në ruajtjen e lirisë së shtypit. Por kjo rritje e dezinformatave dhe propagandës ka një efekt katastrofik në lajmet e pavarura, thotë organizata Gazetarët Pa Kufij.