Serbia shfaq raketat kineze mes shqetësimit në rritje për ndikimin rus në Ballkan

Serbia Chinese Missiles

Serbia shfaqi të shtunën për publikun një sistem kundër-ajror të blerë së fundmi nga Kina, duke ngritur shqetësime në Perëndim dhe në mesin e disa fqinjëve të Serbisë për një garë armësh në Ballkan që mund të kërcënojë paqen e brishtë në rajon.

Sistemi i sofistikuar i raketave tokë-ajër “HQ-22” u dërgua në Serbi muajin e kaluar nga një numër avionësh transporti “Y-20” të Forcave Ajrore Kineze. Kjo mendohet të jetë dërgesa më e madhe ajrore e armëve kineze në Evropë.

Edhe pse Serbia kërkon zyrtarisht anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ajo është armatosur kryesisht me armë ruse dhe kineze, duke përfshirë tanke luftarake T-72, avionë luftarakë MiG-29, helikopterë luftarakë Mi-35 dhe dronë.

Në vitin 2020, zyrtarët amerikanë i bënë thirrje Beogradin të mos blejë sistemet kundër-ajrore kineze “HQ-22”. Versioni i këtij sistemi që eksportohet jashtë Kinës njihet edhe si “FK-3”. Zyrtarët amerikanë thanë se nëse Serbia dëshiron vërtet t'i bashkohet BE-së dhe aleancave të tjera perëndimore, ajo duhet të harmonizojë pajisjet e saj ushtarake me standardet perëndimore.

Sistemi kinez i raketave është krahasuar gjerësisht me sistemin amerikan të raketave “Patriot” dhe atë rus “S-300”, megjithëse ka një rreze më të shkurtër veprimi se raketat më të avancuara ruse “S-300”. Serbia është operatori i parë i raketave kineze në Evropë.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha në fund të ekspozitës së armëve, në një aeroport ushtarak afër Beogradit, se raketat kineze, si dhe pajisje të tjera ushtarake të dorëzuara së fundmi, nuk janë kërcënim për askënd dhe përfaqësojnë vetëm një mjet "frenues të fuqishëm" kundër sulmeve të mundshme ndaj vendit të tij.

“Ne nuk do të shërbejmë më si viktimë e askujt”, tha zoti Vuçiç, duke iu referuar me sa duket bombardimeve 78-ditore të NATO-s ndaj Serbisë për shtypjen e përgjakshme të shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999.

Serbia, e cila ishte në luftë me fqinjët e saj në vitet 1990, nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, të shpallur në vitin 2008. Ajo ka ende marrëdhënie të ftohta me anëtarët e NATO-s, Kroacinë dhe Malin e Zi, si dhe me Bosnjën. Udhëheqësi i Republikës Serbe të Bosnjës, Milorad Dodik mori pjesë në stërvitjen ushtarake të forcave serbe të shtunën.

Presidenti Vuçiç tha se Serbia po negocion gjithashtu për blerjen e avionëve ushtarakë francezë “Dessault Rafale”, si dhe atyre britanikë “Eurofighter Typhoon”. Ai tha se vetëm "pengesat politike" mund ta ndalin blerjen e avionëve perëndimorë.

Ka shqetësime në rritje se Rusia mund ta nxisë aleatin e saj Serbinë të fillojë një konflikt të armatosur me fqinjët e saj, në përpjekje për të zhvendosur të paktën pjesërisht vëmendjen e publikut nga lufta në Ukrainë.

Ndonëse Serbia ka votuar në favor të rezolutave të OKB-së që dënojnë sulmin e përgjakshëm rus në Ukrainë, ajo ka refuzuar t'i bashkohet sanksioneve ndërkombëtare kundër aleatëve të saj në Moskë ose të kritikojë drejtpërdrejt mizoritë e kryera nga trupat ruse në Ukrainë.