Ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike Karen Donfried, zhvilloi një vizitë dy ditore në Tiranë në kuadër të turit të saj në Ballkanin Perëndimor. Ajo pati sot takime me kryeministrin Edi Rama dhe anëtarë të tjerë të qeverisë, si dhe me deputetë të opozitës. Thellimi i partneritetit mes dy vendeve ishte në qendër të vizitës. Para largimit nga Tirana, zyrtarja e lartë e Departamentit të Shtetit, foli me Zërin e Amerikës mbi marrëdhëniet me Shqipërinë dhe pritshmëritë lidhur me reformat dhe luftën ndaj korrupsionit. Ndihmës Sekretarja jep detaje dhe mbi takimin që pati sot me deputetët e PD-së Enkelejd Alibeaj, Gazmend Bardhi dhe Jorida Tabaku, të cilët i konsideron si drejtues të opozitës duke shpjeguar se biseda ishte përqendruar jo te e kaluara, por tek e ardhmja. Zonja Donfried nënvizoi qëndrimin e njohur se zyrtarët amerikanë nuk mund të takohen me persona të shpallur "non grata", siç është rasti i ish kryeministrit Sali Berisha. Në intervistën ekskluzive me korrespondentin e Zërit të Amerikës në Tiranë Armand Mero, Ndihmës Sekretarja e Shtetit ndalet dhe te ndikimi në Ballkan i agresionit rus në Ukrainë.
Your browser doesn’t support HTML5
Zëri i Amerikës: Znj. Donfried, së pari, dua t’ju falenderoj për këtë mundësi. Në komunikatën e shtypit që njoftonte turin tuaj në rajon, thuhej se në Shqipëri, ndër të tjera do të theksonit nevojën për zbatimin e plotë të reformës në drejtësi dhe luftën ndaj korrupsionit. Çfarë konkretisht keni kërkuar nga pala shqiptare?
Nd/Sekretarja Donfried: Së pari, faleminderit që më jepni mundësinë të flas me ju. Është e mrekullueshme të jem këtu në Tiranë, në një ditë kaq të bukur plot diell dhe që rastis të jetë viti kur festojmë 100-vjetorin e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA. Është një kënaqësi e veçantë të jem këtu tani.
Kemi punuar ngushtë me Shqipërinë për disa dhjetëvjeçarë tashmë dhe jam e emocionuar të shoh se si Shqipëria po lëviz drejt një integrimi gjithnjë e më të thellë euro-atlantik. Festojmë faktin që e kemi Shqipërinë aleate në NATO dhe mbështesim jashtëzakonisht fort lëvizjen e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Si pjesë e atij procesi, Shqipëria ka ndërmarrë një sërë reformash demokratike. Disa prej tyre, siç e dini, kanë vënë në shënjestër korrupsionin dhe janë përqendruar tek reforma në drejtësi.
Në bisedat e mia këtu, edhe kam duartrokitur përparimin që ka bërë Shqipëria, por edhe kam thënë vazhdoni, ka më shumë për të bërë dhe SHBA-të janë me Shqipërinë për të mbështetur përparim më të madh me këto reforma.
Zëri i Amerikës: Zonja Donfried, së fundmi, Departamenti amerikan i Shtetit publikoi raportin e përvitshëm për të drejtat e njeriut. Sipas Raportit, problemet kryesore në Shqipëri janë “pavarësia e gjyqësorit, pandëshkueshmëria, apo dhe korrupsioni i përhapur në të gjitha degët e qeverisjes.” Sipas raportit, Shqipëria nuk ka bërë asnjë përparim në vitet e fundit, pasi të njëjtat probleme përsëriten vazhdimisht. Çfarë mendoni për këtë? Çfarë ju tregon për gjendjen e demokracisë shqiptare? Freedom House, vetëm një javë më parë e quajti sistemin shqiptar hibrid/kalimtar.
Nd/Sekretarja Donfried: Mendoj që ajo që ka rëndësi në lidhje me këto raporte është që në disa raste ato edhe njohin përparimin e bërë, por edhe theksojnë se çfarë mbetet për t’u bërë. Dhe në rastin e këtyre reformave në Shqipëri, do të argumentoja se ju, tani po filloni të shihni ndikimin e legjislacionit që u miratua këtu në Shqipëri, i cili po zbatohet tani. Dhe, po, siç thashë kur u përgjigja për pyetjen e mëparshme, mendoj që ka ende shumë që Shqipëria duhet të bëjë dhe ne e mbështesim këtë. Por, mendoj se tani po filloni të shihni pikërisht atë ndikimin e rëndësishëm të legjislacionit që Shqipëria ka.
Zëri i Amerikës: Zonja Donfried, vitin e kaluar Sekretari amerikan i Shtetit përcaktoi ish kryeministrin Sali Berisha, për korrupsion madhor. Por përcaktimi i tij dhe këmbëngulja e SHBA-ve për ta lënë zotin Berisha jashtë grupit parlamentar, e forcoi pozitën e tij në parti dhe sot duket se ai, thuajse “de facto” ka rimarrë kontrollin e Partisë Demokratike, duke synuar rizgjedhjen si kryetar i saj. A ju shqetëson ju kjo situatë? Dhe deri ku do të shkonin marrëdhëniet e SHBA-së me një opozitë të drejtuar nga zoti Berisha? Çfarë ndikimi mund të ketë kjo për marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe Shqipërisë?
Nd/Sekretarja Donfried: Sekretari Blinken e shpalli Z. Berisha për shkak të akteve të korrupsionit ku ishte përfshirë dhe unë, si zyrtare e qeverisë së SHBA, nuk mund të takohem me persona të shpallur. Besoj që pozicioni i SHBA është shumë i qartë. Në fakt u takova sot me drejtues të opozitës dhe do të ndaj me ju faktin që më bëri përshtypje se sa shumë biseda jonë u përqendrua jo tek e kaluara por tek e ardhmja dhe se çfarë PD kërkon të arrijë dhe pret për sa i përket çuarjes përpara të objektivave të Shqipërisë.
Zëri i Amerikës: Ju thatë se sot takuat tre deputetë të Partisë Demokratike, zotin Alibeaj, zonjën Tabaku dhe zotin Bardhi. Në çfarë kapaciteti i takuat ata, sespe zoti Berisha nuk i njeh ata si drejtues të PD-së?
Nd/Sekretarja Donfried: U takova me ta në cilësinë time si Ndihmës Sekretare e Shtetit për Çështje të Europës dhe Euroazisë dhe në cilësinë e tyre si drejtues të Partisë Demokratike. Dhe është diçka shumë e zakonshme kur udhëtoj që të takohem si me anëtarë të qeverisë ashtu edhe me anëtarë të opozitës. Dhe për mua është gjithnjë shumë frymëzuese, diçka që të ngacmon të menduarin dhe e dobishme të dëgjosh perspektiva të ndryshme nga këndvështrime të ndryshme.
Zëri i Amerikës: Kohët e fundit kemi parë shumë kritika dhe reagime ndaj ambasadores së SHBA-së, veçanërisht nga një segment i madh i opozitës, duke e akuzuar atë për ndërhyrje në politikën shqiptare. Cili është reagimi juaj?
Nd/Sekretarja Donfried: Mund t’ju siguroj që Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden, Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara Tony Blinken dhe unë, të gjithë kemi besim të plotë tek Ambasadorja Yuri Kim. Dhe është një kënaqësi e madhe që kemi njerëz të kalibrit të saj dhe me integritetin e saj në qeverinë e SHBA-së. Dhe mendoj që edhe ky vend, Shqipëria, nuk mund të kishte më shumë fat se sa të ketë atë si përfaqësuese të vendit tim dhe duke punuar çdo ditë për të forcuar atë që është tashmë një marrëdhënie e rëndësishme midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.
Zëri i Amerikës: Përveç Berishës, Uashingtoni sanksionoi së fundmi edhe një ish-deputet, Aqif Rakipin, me lidhje të qarta me partinë e shumicës në pushtet. Cilat janë pritshmëritë tuaja nga autoritetet shqiptare?
Nd/Sekretarja Donfried: Mendoj se kam qenë e qartë në lidhje me rolin që luajnë shpalljet. Në lidhje me çfarë ndodh në Shqipëri pas tyre, do të thoja se unë besoj që qytetarët shqiptarë, si njerëzit në të gjithë botën, duan të mbështesin kandidatë të pastër.
Zëri i Amerikës: Zonja Donfried, bota demokratike sfidohet sot nga agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës. Cilat mendoni se janë pasojat për Ballkanin, duke pasur parasysh ndikimin rus në disa vende të rajonit tonë?
Nd/Sekretarja Donfried: Fillimisht më lejoni të them se sa e trishtueshme është të shohësh ukrainasit të vriten çdo ditë.
Rusia më 24 shkurt ndërmori një agresion frontal të paprovokuar dhe të pajustifikuar kundër Ukrainës dhe gjatë dy muajve të fundit kemi parë brutalitetin i atij agresioni, qoftë tek bombardimi i pandërprerë i Mariupolit, apo krimet që kemi parë në Buça.
Ka kaq shumë raste të tmerrshme që mund të përmend. Çdo ditë është një ditë tragjike për Ukrainën.
Dhe Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë një pozicion shumë të fortë në atë konflikt. Pozicioni ynë forcohet edhe më shumë për faktin se aleatë si Shqipëria po qëndrojnë me vendosmëri krah nesh. Shqipëria ka rol kyç në të treja shtyllat e strategjisë sonë: Ajo po ndihmon Ukrainën: po i imponon kosto Rusisë, po kontribuon në NATO, duke u siguruar që krahu ynë lindor dhe juglindor të mbrohet siç duhet; dhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ku Shqipëria është një bashkëpenëmbajtëse me ne për Ukrainën. Mund të vazhdoja edhe më tej.
Por kjo është një betejë jo vetëm për Ukrainën. Bëhet fjalë sigurisht për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës. Por bëhet fjalë gjithashtu për ambjentin e sigurisë evropiane dhe në thelb ka të bëjë me parimet tek të cilat ne besojmë, sipas së cilave çdo shtet ka të drejtën të marrë vendimet e veta sovrane për politikën e vet të jashtme dhe të sigurisë, shumë nga parimet themelore të sigurisë evropiane me të cilat në fakt, Rusia ka rënë dakord në OSBE dhe organizma të tjera. Kështu që rëndësia e këtij momenti është e jashtzakonshme.
Dhe përsëris që Presidenti Biden, Sekretari Blinken besojnë thellësisht se pozita jonë në përballimin e këtij momenti është e fortë falë aleatëve si Shqipëria.
Zëri i Amerikës: A jeni e shqetësuar me qëndrimin e Serbisë për të mos iu bashkuar sanksioneve të BE-së kundër Rusisë?
Nd/Sekretarja Donfried: Më lejoni të filloj duke thënë se Serbia qëndroi në anën e duhur të historisë në fillim të marsit në votimin e parë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, kur njëqind e dyzet e një vende, përfshirë Serbinë, votuan për të dënuar sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës dhe kërkuan që Rusia të tërhiqet. Në OKB ishin pesë vende që votuan kundër kësaj rezolute. Edhe në një rezolutë të dytë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, një rezolutë humanitare, Serbia votoi krah Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara. Dhe më pas u bë votimi për të pezulluar Rusinë nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut. Dhe përsëri, Serbia votoi me ne. Mendoj se është e rëndësishme ta pranojmë se këto ishin vendime të vështira dhe të vlerësojmë vendimin që mori Serbia.
Përsa u takon sanksioneve, siç e përmenda, Shtetet e Bashkuara besojnë se ështe e rëndësishme t'i imponohen kosto Vladimir Putinit. Veprimet që po ndërmerr ai, janë të pajustifikuara, të paprovokuara dhe brutale dhe lidhur me këtë, ne i bëjmë thirrje Serbisë që të përputhë qëndrimin e saj me BE-në dhe sanksionet që ajo ka vendosur. Dhe do të theksoja këtu se ajo që po bëjnë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian në frontin e sanksioneve, koordinimi në këtë drejtim, është një shembull për t’u shënuar i bashkëpunimit tonë.
Dua të theksoj gjithashtu se paketa e reagimit përfshin sanksione dhe kontrolle për eksportin dhe mendoj se këto kontrolle për eksportet janë gjithashtu të rëndësishme. Dua të theksoj se ky koalicion që qëndron me forcë kundër veprimeve brutale të Rusisë përfshin jo vetëm aleatët dhe partnerët tanë evropianë, por edhe aleatët dhe partnerët tanë në Azi. Dhe mendoj se fakti që një pjesë e madhe e botës po i del kundër, ka një rëndësi të madhe.
Zëri i Amerikës: Dhe një pyetje: A mendoni se blerjet e armëve që Serbia ka bërë nga Rusia e së fundmi dhe nga Kina, përbëjnë një rrezik për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkan?
Karen Donfried: Më duhet të them që kishte një dallim opinionesh midis disa evropianëve dhe Shteteve të Bashkuara për planet e Rusisë në prag të 24 shkurtit dhe mendoj se meqenëse disa nga aleatët dhe partnerët tanë evropianë nuk besonin se Rusia do ta ndërmerrte atë sulm, në shumë mënyra 24 shkurti ishte për pjesën më të madhe të Evropës i barazvlefshëm me atë që ishte 11 shtatori për Shtetet e Bashkuara dhe na ka treguar të gjithëve një anë të Rusisë që ne shpresonim të mos ekzistonte.
Kur një vend merr vendime për blerjet e armëve dhe sigurisht kur mendon në këndvështrim të gjerë për marrëdhëniet me atë vend, është shumë e vështirë të imagjinosh ndonjë vend që të ketë një marrëdhënie të pandryshuar me Rusinë pas 24 shkurtit. Unë do t'i referohesha përsëri vendimeve që mori Serbia në OKB.
Kina, besoj se ka marrë një vendim strategjik për të qenë aleate me Rusinë.
Dhe, e përsëris, mendoj se çdo vendim që një vend merr në lidhje me blerjet e armëve është i informuar nga ai këndvështrim i gjerë mbi mënyrën se si duhet të jetë në vazhdim një marrëdhënie me Rusinë apo me Kinën. Po mjaftohem me kaq.
Zëri i Amerikës: Faleminderit shumë.
Karen Donfried: Kënaqësia ime dhe faleminderit për gjithë punën e shkëlqyer tek Zëri i Amerikës.