Nënpresidetja Harris infektohet me COVID-19

Shtëpia e Bardhë njoftoi të martën se Nënpresidentja Kamala Harris rezultoi pozitive për COVID-19, çka nënvizon qëndrueshmërinë e virusit shumë ngjitës edhe pse SHBA-të po lehtësojnë kufizimet në një përpjekje për t'iu kthyer normalitetit të para pandemisë.

Sekretarja e shtypit e zonjës Harris, Kirsten Allen, tha se as Presidenti Joe Biden dhe as Zonja e Parë Jill Biden nuk kanë patur kontakt të ngushtë me zonjën Harris në ditët e fundit. Hera e fundit që ata janë takuar ishte më 18 prill.

Nënpresidentja u kthye të hënën nga një udhëtim njëjavor në Bregun Perëndimor.

Shtëpia e Bardhë tha se ajo nuk ka shfaqur asnjë simptomë. Zonja Harris do të izolohet në shtëpinë e saj, por do të vazhdojë të punojë nga distanca dhe do të kthehet në Shtëpinë e Bardhë vetëm kur të rezultojë negative për virusin.

Nënpresidentja është plotësisht e vaksinuar si dhe ka marrë dy doza përforcuese të vaksinës. Të dhënat tregojnë se të vaksinuar plotësisht dhe ata që marrin doza përforcuese kanë një shkallë më të lartë mbrojtjeje kundër rasteve të renda dhe vdekjeve si pasojë e COVID-19, sidomos nga varianti shumë i transmetueshëm, ai Omicron.