Vonesat në zinxhirin e furnizimit

  • Elizabeth Lee

Infektimet e fundit me COVID-19 në Kinë kanë dëmtuar më tej zinxhirin e furnizimit, duke shkaktuar vonesa në dërgimin e mallrave të konsumit të përditshëm në Shtetet e Bashkuara. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Elizabeth Lee, njofton se si bizneset përpiqen ta lehtësojnë këtë problem.

Your browser doesn’t support HTML5

Vonesat në zinxhirin e furnizimit

Yung Schulz importon veshje dhe mallra të tjera nga Kina, të cilat në vazhdim shiten në dyqanet amerikane. Përpara pandemisë duheshin tre javë që artikujt të transportoheshin nga Kina drejt magazinës së saj në Kaliforninë e Jugut. Por tani ajo thotë se duhen të paktën edhe 45 ditë të tjera.

Ekspertët e zinxhirit të furnizimit thonë se vonesat do të vazhdojnë të jenë të paparashikueshme, kryesisht sepse variantet Omicron dhe Delta të koronavirusit janë diktuar në shumë provinca kineze, ndër to edhe qytete porte. E kombinuar me strategjinë e Kinës për masa izolimi dhe testim masiv, kjo po shkakton efekte domino në zinxhirin e furnizimit global.

"Që përpara variantit Omicron dhe masave më të fundit izoluese në Kinë, zinxhiri i furnizimit global ishte i dëmtuar prej gati dy vitesh. Zhvillimet e fundit në portet kineze e kanë rënduar më tej situatën e vështirë", thotë John Ferguson, ekspert i tregtisë dhe financave.

Dhe nëse mbyllet një port kinez, nuk mund të shkohet thjesht tek një port tjetër.

"Në Kinë, në veçanti në qytetet e mëdha, nuk i mirëpresin banorët e një qyteti tjetër, sepse mendojnë se rreziku nga jashtë është shumë i madh. Prandaj, i vendosin në karantinë për një minimum prej 14 ditësh", thotë zonja Schulz.

Edhe pasi anijet e mallrave mbërrijnë në Shtetet e Bashkuara ka vonesa të mëtejshme.

"Ka mungesë kontenierësh, por ka edhe mungesa këtu të punonjësve të magazinave dhe kamionëve", thotë Atul Vashistha, ekspert i zinxhirit të furnizimit.

Vonesat kanë edhe kosto financiare. P.sh. një kontenier që dikur kushtonte rreth 3-4 mijë dollarë për t'u transportuar, tani shkon në mbi 20 mijë dollarë. Porti i Los Anxhelosit pritet të ndjejë edhe pasoja të tjera.

"Presim një ngadalësim në muajin shkurt nga Kina dhe vendet e tjera të Paqësorit për shkak të Vitit të Ri Hënor. Do të shohim nëse varianti Omicron do ta rëndojë situatën edhe më tej", thotë Phillip Sanfield, nga Porti i Los Anxhelosit.

Analistët thonë se ndërvarësia nga prodhimet e Kinës e ka përkeqësuar problemin e zinxhirit të furnizimit.

"Kompanitë po kuptojnë se situata e këtyre dy viteve mund të ishte shmangur nëse do të kishin shqyrtuar mundësinë e burimeve alternative të furnizimit", thotë zoti Vashistha.

Don DiCostanzo, drejtor i kompanisë së biçikletave elektrike Pedego, veproi pikërisht kështu. Ai u përpoq të diversifikonte vendet ku prodhoheshin biçikletat, për shkak të tarifave që vendoste Kina, pa e ditur se do të godiste pandemia.

"Krizën e tanishme e kemi shmangur nëpërmjet një furnizimi të qëndrueshëm nga Vietnami, Kina dhe Tajvani. Duket se kanë mbyllje të porteve të ndryshme në periudha të ndryshme", thotë zoti DiCostanzo.

Ai gjithashtu mban rezerva për katër muaj, në vend të dy muajve.

Ndërsa vazhdon pasiguria për çfarë do të na sjellë në vazhdim COVID-19, ekspertët bien dakort se viti 2022 do të vazhdojë të sjellë ndërprerje të zinxhirit të furnizimit dhe kosto më të larta për konsumatorët.