Estonia ndalon kremtimet e 9 majit

HELSINKI — Estonia thotë se po i ndalon tubimet publike për festimet e Ditës së Fitores më 9 maj, ku njerëzit shfaqin simbole ushtarake, apo të flamujve rusë. 9 Maji festohet tradicionalisht nga popullsia e konsiderueshme ruse e vendit baltik për të kremtuar fundin e Luftës së Dytë Botërore.

“Shteti estonez deri më tani ka qenë tolerant ndaj ngjarjeve të 9 majit, por aktivitetet aktuale të Rusisë në Ukrainë përjashtojnë tubimet publike në Estoni, që shprehin mbështetje për shtetin agresor dhe shfaqin simbole lufte”, tha të mërkurën shefi i policisë dhe rojeve kufitare, Elmar Vaher.

Policia tha të mërkurën se përkujtimi i të vrarëve në Luftën e Dytë Botërore nuk ishte i ndaluar, por "nuk duhet të përdoret për të nxitur dhunën dhe urrejtjen midis njerëzve".

Ndër simbolet e ndaluara janë flamujt e Bashkimit Sovjetik dhe Rusisë, uniformat ushtarake sovjetike dhe shiritat portokalli dhe të zinj të veshur në Rusi për të shënuar fitoren e Bashkimit Sovjetik ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore.

Ndalimi është në fuqi deri më 10 maj dhe vlen për kryeqytetin Talin dhe zonat përreth.

Banorët rusë përbëjnë rreth 25% të popullsisë 1.3 milionëshe të Estonisë dhe ata tradicionalisht mblidhen për të vendosur lule më 9 maj në statujën e Ushtarit të Bronztë të Talinit, që përkujton trupat e rëna të Ushtrisë së Kuqe në betejat e Luftës së Dytë Botërore në Estoni.