Senatorët amerikanë, Chris Murphy, Jeanne Shaheen dhe Thom Tillis, thanë të martën në Beograd se Serbia duhet të harmonizojë politikën e saj të Jashtme me atë të Bashkimit Evropian.
Ata i bënë këto komente pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, duke theksuar se “në këtë moment historik është me rëndësi që vendet demokratike të Evropës t’i dërgojnë mesazh të qartë Rusisë dhe të kërkojnë llogari”.
Të tre senatorët po qëndrojnë në rajon në kohën e agresionit rus në Ukrainë dhe shqetësimeve për ndikimet e konfliktit edhe në Ballkanin Perëndimor.
“Ndërsa Rusia vazhdon të humbasë në Ukrainë, ajo do të përpiqet të krijojë probleme në rajonet e brishta në afërsi. Unë jam në Serbi, Kosovë dhe Bosnje këtë javë me senatoren Shaheen dhe senatorin Thom Tillis, për të forcuar lidhjet e Shteteve të Bashkuara me Ballkanin, përballë përpjekjeve të huaja për të dëmtuar paqen”, shkroi në rrjetet sociale para takimeve në Beograd senatori Chris Murphy.
Ai tha se gjatë bisedimeve me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, i është thënë se synohet një bashkësi e vendeve demokratike që do të dënojnë agresionin rus në Ukrainë.
“I kuptojmë lidhjet historike ndërmjet Serbisë dhe Rusisë. Vazhdojmë të mbështesim Serbinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ndërsa kemi ardhur të forcojmë marrëdhëniet e mira që ka ajo me Shtetet e Bashkuara”, tha senatori Murphy.
Senatorja Shaheen tha se është biseduar për sanksionet kundër Rusisë dhe se diskutimet rreth tyre do të vazhdojnë.
"Siç tha edhe presidenti serb, e ardhmja e Serbisë është në perëndim me pjesën tjetër të Evropës dhe ajo ecën në atë drejtim me lidhjet tregtare, të biznesit dhe investimeve. Nëse ky është synimi, atëherë gjithsesi duhet të keni politikë të Jashtme të harmonizuar me Bashkimin Evropian”, tha senatorja Shaheen.
Lexoni edhe këtë Serbia voton në OKB kundër Rusisë – kundërshton sanksionet ndaj sajBeogradi ka votuar kundër Rusisë tre herë në Kombet e Bashkuara, por nuk ka vendosur sanksione kundër saj. Një aleate e vjetër e Serbisë, Moska mbështete qëndrimin e Beogradit për të mos njohur pavarësinë e Kosovës që u shpall në shkurt të vitit 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian.
Senatori Murhy tha se është i zhgënjyer me mungesën e përparimit në procesin e bisedimeve Kosovë – Serbi dhe se për këtë çështje do të diskutohet edhe në Prishtinë më vonë gjatë kësaj jave.
Senatorët amerikanë thanë të martën gjithashtu se nëse Serbia dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, duhet të rishqyrtojë armatosjen e saj nga Rusia dhe Kina.
“Në planin afatgjatë, mendoj se çdo vend duhet të marrë një vendim nëse është në interesin e tyre më të mirë të sigurisë lidhja me Kinën. Nëse Serbia synon të jetë anëtare e Bashkimit Evropian, atëherë ndoshta nuk është në interesin e saj afatgjatë që të ketë një marrëdhënie sigurie me Kinën”, tha senatori Murphy.
Lexoni edhe këtë Presidenti serb e cilëson "të ligjshme" blerjen e armëve nga KinaNë fillim të këtij muaji, Kina i dorëzoi Beogradit një sistem të mbrojtjes ajrore, me gjithë paralajmërimet e mëparshme amerikane se Serbia nëse dëshiron integrimet perëndimore, duhet të përafrojë ushtrinë e saj me standardet perëndimore.
Pranimi i armëve kineze nxiti reagime mes shqetësimeve perëndimore se një grumbullim i armëve në Ballkan në kohën e luftës në Ukrainë, mund të kërcënojë paqen e brishtë në rajon.