Rusia deklaron fillimin e ofensivës së re në lindje të Ukrainës

Mjetet e blinduara të ushtrisë ruse duke avancuar në lindje të Ukrainës (18 prill 2022)

Rusia deklaroi të martën se ka filluar një ofensivë të re për të marrë nën kontroll pjesën lindore të Ukrainës, nëpërmjet bombardimeve në rajonin Donbas, por Ukraina tha se po mbronte territorin dhe po zmbrapste disa nga sulmet fillestare.

"Një tjetër fazë e këtij operacioni fillon tani", tha Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov, duke shtuar se objektivi i Moskës është "çlirimi i plotë" territoreve të Donjetskut dhe Luhanskut në lindje.

Në Uashington, një zyrtar i lartë i Departamentit të Mbrojtjes e quajti ofensivën e re ushtarake ruse një "prelud" i fushatave të tjera që do të pasojnë, duke shtuar se "ka vërtet mundësi që kjo të zgjasë, pasi të dyja palët kanë zënë pozicione të forta".

Zyrtari tha se Ukraina është në disavantazh numerik krahasuar me forcat ruse, por se "kjo nuk do të thotë se nuk kanë avantazhe të tjera apo kapacitetet për ta mbrojtur veten" me armët që "iu dërgohen çdo ditë".

Pjesë të ndihmës ushtarake amerikane prej 800 milionë dollarësh që miratoi Presidenti Joe Biden javën e kaluar, kanë mbërritur tashmë në Ukrainë. Zyrtari i mbrojtjes tha se fluturime të tjera me më shumë armatime do të mbërrijnë në Ukrainë gjatë 24 orëve të ardhshme.

Guvernatori i Luhanskut tha se qyteti lindor Kreminna është tashmë "nën kontrollin" e forcave ruse, duke i krijuar kështu mundësinë Rusisë që të përparojë drejt Kramatorskit, kryeqytet i rajonit Donbas.

Por, Ukraina njoftoi se ka zmbrapsur shtatë sulme të ndryshme të forcave ruse në disa beteja, se ka shkatërruar 10 tanke dhe 18 njësi të blinduara.

Një ushtar ukrainas ecën përreth një tanku të shkatërruar rus

Zyrtari i mbrojtjes tha se një "pjesë e konsiderueshme e të gjithë ushtrisë ruse tani është e përqendruar në këtë ofensivë" në zonat strategjike në pjesën lindore të vendit, gjë që do t'i mundësonte Rusisë të lidhej me gadishullin e Krimesë të pushtuar tetë vjet më parë. Departamenti amerikan i Mbrojtjes vlerësoi se Rusia ka dërguar tashmë 11 grupe taktike të batalioneve në Ukrainë, rreth 8 mijë deri në 11 mijë ushtarë të tjerë.



Rajoni i Donbasit përfshin Luhanskun dhe Donjetskun, dy rajone që tashmë pjesërisht mbahen nga separatistët e mbështetur nga Rusia, së bashku me qytetin port të rrethuar të Mariupolit në jug.



Moska vazhdoi të kërkojë dorëzimin e forcave ukrainase të ngujuara në një fabrikë çeliku në Mariupol. “Të gjithë atyre që dorëzojnë armët u garantohet ruajtja e jetës”, tha Ministria e Mbrojtjes e Rusisë, por një afat i ri kaloi pa dorëzim.



Ndërkohë në Uashington, Presidenti Biden pati një telefonatë të martën me aleatët e Shteteve të Bashkuara për të diskutuar luftën në vazhdim. Administrata e tij tha se kishte shtuar dërgesat e armëve në Ukrainë, për të cilat Shtetet e Bashkuara thanë se po realizohen me "shpejtësi të paprecedentë".



Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby, u tha gazetarëve të hënën se Rusia kishte dislokuar "artileri, avionë, njësi mbështetëse për helikopterët, komandat dhe kontrollorët" për të ndihmuar përpjekjet e saj në Donbas.

Pas dështimit për të marrë kryeqytetin, Kievin, Kremlini shpalli si objektiv të tij marrjen nën kontroll të rajonit lindor të Donbasit. Nëse kjo ndodh, Rusia do të pushtonte një rajon të rëndësishëm të Ukrainës, që Presidenti Putin mund t’ia shiste popullit rus si fitore mes humbjeve në rritje në luftë dhe vështirësive ekonomike të shkaktuara nga sanksionet e Perëndimit.

Gjatë javëve të fundit, forcat ruse që u tërhoqën nga Kievi, janë riorganizuar në përgatitje për një ofensivë në shkallë të gjerë në Donbas, ku forcat separatiste të mbështetura nga Moska, ka 8 vjet që luftojnë kundër ushtrisë ukrainase dhe kanë shpallur dy republika të pavarura, që janë njohur nga Rusia.

Ndërsa Presidenti i Ukrainës dhe zyrtarë të tjerë thanë se ofensiva ka filluar, vëzhguesit thonë se ky është vetëm fillimi i një sulmi të ri frontal.

Lexoni edhe këtë Zelenskyy thotë se beteja për Ukrainën Lindore ka filluar

Sulmi i forcave ruse shtrihet në një vijë prej 480 kilometrash, nga verilindja në juglindje të Ukrainës.

Denys Prokopenko, komandanti i një prej regjimenteve të ushtrisë ukrainase, që mbron ende disa xhepa të rezistencës në qytetin Mariupol, tha se forcat ruse kanë hedhur bomba kundër bunkerëve në një fabrikë çeliku ku ndodhen forcat e tij. Në fabrikë, një ndër më të mëdhatë në Evropë, me një sipërfaqe prej rreth 11 kilometrash katrorë, mendohet se strehohen edhe civilë.

*Për këtë artikull u morën të dhëna nga agjensitë e lajmeve Reuters, Associated Press dhe AFP.