Edhe përpara agresionit rus në Ukrainë, zyrtarët amerikanë paralajmëruan për sulme kibernetike kundër infrastrukturës kryesore amerikane, duke u kërkuar "viktimave" të tyre para në këmbim të informacionit të vjedhur. Këto sulme e kanë patur origjinën nga Rusia. Tashmë agjencitë amerikane të sigurisë po godasin gjithnjë e më shumë rrjetet e përdorura nga aktorët e paligjshëm kibernetikë.
Your browser doesn’t support HTML5
Sulmet kibernetike, ku sulmuesit kërkojnë para në shkëmbim, janë bërë një kërcënim i madh për sigurinë në mbarë botën. Sipas ekspertëve hakerët synojnë të godasin infrastrukturën e rëndësishme të tilla si tubacionet e naftës apo objektet e pastrimit të ujit.
Ekspertët thonë se hakerët fillimisht fusin viruse në sistemet kompjuterike të kompanive dhe më pas kërkojnë shuma të mëdha parash për të zhbllokuar të dhënat, apo për të mos i bërë ato publike.
Sulme të tilla mund të dëmtojnë një ndërmarrje ose biznes dhe të shkaktojnë humbje të mëdha financiare.
“Këto lloj sulmesh kanë ndryshuar rrënjësisht në dy vitet e fundit. Dikur ndodhte që ata thjesht kodonin të dhënat e objektivit të tyre. Ata ende e bëjnë këtë, por tashmë vjedhin gjithashtu edhe një kopje të informacionit të atij objektivi dhe më pas kërcënojnë se do ta publikojnë atë në internet me qëllim që të përfitojnë shuma të mëdha parash”, thotë eksperti Brett Callow nga kompania “Emsisoft”.
Në vitin 2018, një kompani e vogël mesatarisht iu paguante rreth 5 mijë dollarë hakerave, në raste se binte pre e sulmeve kibernetike. Sot këto pagesa kanë arritur në qindra mijëra dollarë. Disa hakerë kërkojnë pagesa në miliona dollarë. Pagesat zakonisht bëhen në kriptovaluta, duke e bërë më të vështirë gjurmimin e tyre.
“Këto lloj sulmesh vijojnë të jenë një problem. Nëse asnjë kompani nuk do të paguante këto gjoba të vendosura nga hakerët, nuk do të kishte sulme të kësaj natyre”, thotë për Zërin e Amerikës eksperti Brett Callow, nga kompania “Emsisoft”.
Ekspertët thonë se hakerët janë të mirëorganizuar dhe funksionojnë si biznese, me departamente dhe personel mbështetës. Ata gjithashtu zgjedhin me kujdes objektivat e tyre.
“Ata nuk janë të painformuar për atë që do sulmojnë. Ata krijojnë një profil të plotë të një organizate që ata mendojnë se ka dobësi e që ka të ngjarë të paguajë dhe më pas e sulmojnë”, thotë për Zërin e Amerikës, Boyden Rohner, nga Agjencia e Sigurisë Kibernetike dhe Sigurisë së Infrastrukturës
Zyrtarët amerikanë thonë se hakerët shpesh janë të vendosur në Evropën Lindore. Në disa raste, ata veprojnë si grupe të zakonshme kriminale, ndërsa të tjerat mbështeten nga qeveritë.
“Ne e shohim Rusinë si një vend nga burojnë shumë nga këto sulme”, thotë për Zërin e Amerikës, Boyden Rohner, nga Agjencia e Sigurisë Kibernetike dhe Sigurisë së Infrastrukturës
Vitin e kaluar, Presidenti Joe Biden i kërkoi vazhdimisht udhëheqësit rus Vladimir Putin të ndalë krimin kibernetik me origjinë nga vendi i tij. Deri në fund të vitit 2021, numri i sulmeve në shkallë të gjerë ra dhe disa analistë besojnë se arsyeja ishte trysnia diplomatike amerikane.
Por të tjerë thonë se kriminelët kibernetikë u bënë më të kujdesshëm ndërsa agjencitë amerikane të sigurisë shtuan përpjekjet për të luftuar këto sulme, duke përfshirë sekuestrimin e parave të zhvatura, sanksionet, arrestimet dhe paditë.
Pavarësisht kësaj, kompania e sigurisë kibernetike “Emsisoft” thotë se të paktën 2,323 entitete amerikane u vunë në shënjestër në vitin 2021, duke përfshirë qeveritë lokale, shkollat dhe spitalet.
Të dhënat e vjedhura, përfshirë numrat e sigurimeve shoqërore, zakonisht përfundojnë në të ashtuajturat faqe të errta të internetit apo “dark web”. Këto krime dëmtojnë individët pasi vjedhja e identitetit është një problem madhor.
“Pasojat më të këqija janë efektet e mundshme tek individët. Për shembull, njerëzit që mund të mos jenë në gjendje të marrin kujdes mjekësor kur kanë nevojë, pasi spitali i tyre është hakeruar”, thotë eksperti Brett Callow nga kompania “Emsisoft”.
Ekspertët rekomandojnë që kopje me të dhëna të rëndësishme të ruhen në pajisje që nuk janë të lidhura me internetin.