Administrata e Presidentit Biden duket se dëshiron ta përfshijë diskutimin rreth ndikimit të sulmit të Rusisë tek ekonomia ndërkombëtare, si dhe të një rindërtimi të mundshëm të Ukrainës, në axhendën e takimit të Grupit të 20-shes që do të mbahet në nëntor. Siç njofton korrespondetja e Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara, kjo mund të krijojë ndasi të mëtejshme në këtë forum ekonomik.
Your browser doesn’t support HTML5
Ndërsa lufta vazhdon në Ukrainë, Presidenti Joe Biden dëshiron largimin e Rusisë nga grupi i 20 ekonomive më të mëdha dhe përfshirjen e pasojave të sulmit në axhendën e takimit të G-20ës, i tha Zërit të Amerikës Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.
“Nuk është e pazakontë që ngjarjet që ndikojnë tek komuniteti global, si Ukraina dhe sulmi rus në Ukrainë, të luajnë një rol qendror në forumet ndërkombëtare. Në rimëkëmbjen ekonomike dhe rindërtimin e tyre do të përfshihet komuniteti global”, tha zonja Psaki.
Kjo e vendos në një pozicion të vështirë Presidentin e Indonezisë, Joko Widodo, i cili kryeson këtë vit G-20ën dhe do të jetë organizator i takimit të nëntorit në Bali.
Vendet anëtare që nuk konsiderohen fuqi të mëdha kanë një axhendë të tyren.
“Dëshira e Presidentit Widodo është që të sigurohet që do të ruhet mandati i G-20ës, të sigurohet, si përfaqësues i ekonomive në rritje, se axhenda e rimëkëmbjes nga pandemia do të jetë e përballueshme për të gjithë”, thotë Dinna Prapto Raharja, nga organizata studimore “Synergy Policies”.
Pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014, Moska u përjashtua nga grupi i vendeve më të industrializuara, i mirënjohur tashmë si G-7.
Megjithatë, ka pak gjasa që Rusia të përjashtohet nga G-20, një grup shumë më i gjerë, me interesa shumë më konkuruese dhe që nuk ka një mekanizëm formal për të përjashtuar një vend anëtar.
Deri më tani, Presidenti rus Vladimir Putin duket se synon të marrë pjesë në takim, me mbështetjen e Kinës.
“Presidenti Biden nuk do të ulet në të njëjtën sallë. Do të thoja që po kështu do të veprojë Kryeministri Trudeau dhe disa prej evropianëve. Kjo do ta vendoste Xhakartën në një pozicion shumë të vështirë. A do të jenë të gatshëm të pranojnë pjesëmarrjen e Putinit dhe të humbasin pesë apo gjashtë pjesëmarrës të tjerë?”, thotë Gregory B. Poling, nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.
Ambasadori Dian Triansyah Djani, bashkëdrejtues në G-20, i tha Zërit të Amerikës se Indonezia do të dëgjojë pikëpamjet e vendeve anëtare, duke ruajtur ndërkohë rolin e G-20ës si një forum i bashkëpunimit ekonomik.
Në përgjigje të kritikave se kërkesat e Perëndimit për të përjashtuar Moskën nuk ndihmojnë axhendën e takimit dhe krijojnë ndasi, zonja Psaki tha se zoti Putin është bërë një “person i padëshirueshëm në botë” dhe se ai “nuk ka vend në forumet ndërkombëtare”.