Dokumentar mbi ngritjen dhe rënien e aktorit Bill Cosby 

FILE - Bill Cosby is welcomed outside his home after Pennsylvania's highest court overturned his sexual assault conviction and ordered him released from prison immediately, in Elkins Park, Pennsylvania, June 30, 2021.

Dokumentari me katër pjesë i regjisorit Kamau Bell "Ne duhet të flasim për Cosby-n" trajton ngritjen dhe rënien e komedianit afrikano-amerikan Bill Cosby nga statusi i nderuar i "Babait të Amerikës" në një të dyshuar për sulm seksual. Regjisori Bell, vetë një komedian dhe drejtues i dokumentarit, i tha Zërit të Amerikës se një numër i madh njerëzish, veçanërisht afrikano-amerikanët, u tronditën kur aktori Cosby, i cili promovonte vlerat familjare dhe edukimin, u akuzua nga dhjetëra gra për sulme seksuale.

Your browser doesn’t support HTML5

Dokumentar mbi ngritjen dhe rënien e aktorit Bill Cosby

Në vitin 2018, aktori dhe komediani Bill Cosby u shpall fajtor për tre akuza për sulm seksual dhe u dënua me 10 vjet burg. Ai u lirua verën e kaluar pasi gjykata e lartë e shtetit të Pensilvanisë hodhi poshtë dënimin e tij për një çështje procedurale. Zoti Cosby i ka mohuar akuzat e dhjetëra grave që thonë se ai i ka droguar dhe përdhunuar.

Komediani Kamau Bell thotë se vendimi për realizimin e dokumentarit "Ne duhet të flasim për Cosby-n" ishte i vështirë për të.

"Si shumë njerëz të tjerë, unë e kisha të vështirë të përpunoja të gjitha këto gjëra", thotë ai.

Zoti Bell e përshkruan veten si një "fëmijë i familjes Cosby", një nga shumë fëmijët që u rritën duke shikuar programet e aktorit Bill Cosby. Si komedian, ai thotë se është frymëzuar nga Bill Cosby. Por pas daljes në dritë të akuzave për sulme seksuale, ai thotë se e kishte të vështirë ta thoshte këtë.

"Nuk mund të thoja se Bill Cosby ishte frymëzim për mua. Por, si një afrikano-amerikan i moshës sime, nëse nuk e thoja këtë do të ishte çmenduri! Kështu që fillova të them jam i frymëzuar nga aktori që dikur njihej si Bill Cosby. Kjo ishte një mënyrë për të treguar se e dija që ka shumë lajme jo të mira për aktorin dhe në përgjithësi kjo ishte e pranueshme për njerëzit. Por ky ishte fillimi i përpjekjes sime për t’u përballur me të publikisht”, thotë regjisori Bell.

Dokumentari i regjisorit Kamau Bell ndjek ngritjen meteorike të aktorit Bill Cosby nga një komedian që interpretonte në lokalet e San Franciskos në vitet 1960 në statusin e babait të dashur në serialin me famë ndërkombëtare "The Cosby Show".

“Ishte seriali numër një në Afrikën e Jugut sepse qeveria e këtij vendi, e kontrolluar nga të bardhët, e shihte atë si të sigurt, si një shfaqje të vlerave të familjeve të bardha. Por banorët autoktonë të Afrikës së Jugut e panë atë si revolucionare, sepse Cosby po u kujtonte atyre Nelson Mandelën. Nipërit në serial, quheshin Winnie dhe Nelson, dhe në të nganjëherë shfaqeshin parulla kundër aparteidit. Dhe gjithashtu, seriali theksonte se afrikano-amerikanët jetonin me krenari, ishin krenar për identitetin e tyre”, thotë ai.

Ndërkohë, akuzuesit e aktorit Bill Cosby, të cilët pranuan të intervistoheshin për dokumentarin e regjisorit Bell, e përshkruajnë atë si një person që i drogoi dhe i përdhunoi ato.

Aktorja Eden Tirl është njëra prej tyre. "Shumë njerëz kishin njohuri mbi veprimet e tij, sepse ju nuk mund të bëni atë që ai bëri nëse nuk keni njerëz të tjerë që ju mbështesin", thotë ajo.

"Njerëzit që janë në pozita më të larta i japin përparësi një projekti të suksesshëm më shumë se sa një mjedisi të sigurt, mbështetës dhe efektiv në vendin e punës", thotë regjisorit Kamau Bell.

Sipas RollingStone.com, pas publikimit të dokumentarit të regjisorit Bell, përfaqësuesi i aktorit Bill Cosby, Andrew Wyatt, e quajti atë një sulmues të imazhit publik të zotit Cosby dhe tha se aktori Bill Cosby ka qenë në "shënjestët të mediave të shumta, të cilat qëllimisht për shumë vite kanë shtrembëruar dhe lënë jashtë të vërtetat".

Regjisori Bell thotë se ai i mbështet gratë që kanë publikuar historitë e tyre.

“Askush nuk mund të merrej me hendekun e madh mes mendimit që ishte krijuar për figurën e aktorit Bill Cosby dhe sjelljes së tij në jetën reale. Ne kurrë nuk do të kishim trajtuar një hendek kaq të madh më parë, sepse për shumicën e burrave, jo për të gjithë burrat, që u goditën gjatë lëvizjes “MeToo”, askush - asnjëri prej tyre - nuk ishte ikonë kulturore e nivelit ndërkombëtar, ose hero. Më konkretisht, asnjëri prej tyre nuk ishte hero i fëmijërisë së askujt siç ishte Bill Cosby”.

Kamau Bell thotë se dokumentari nuk ofron përgjigje të lehta, por ofron mjaft material për të ndihmuar shikuesit të mësohen se si të përballen me dikë që ka patur një ndikim kaq të madh në jetën e tyre.