Platformat teknologjike, si platforma Etsy, po shërbejnë si një mënyrë për të dërguar ndihmë të drejpërdrejtë për ukrainasit. Ky treg i produkteve të artizanatit është bërë pjesë e infrastrukturës së padukshme globale për ndihma humanitare. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Maxim Moskalkov, që me fillimin e sulmit të Rusisë, mijëra artizanë nga mbarë bota po shesin në këtë faqe interneti produkte me tematikë ukrainase dhe po i shpërndajnë fitimet për qëllime bamirësie.
Your browser doesn’t support HTML5
Që kur Rusia filloi sulmin në Ukrainë, në tregun artizanal Etsy mbizotërojnë ngjyra blu dhe e verdhë – ngjyrat kombëtare të Ukrainës. Artizanët shesin produkte për të mbështetur Ukrainën. Fitimet shkojnë në ndihmë të ukrainasve.
“Vendosa të prodhoja një varëse me një luledielli dhe njerëzit e pëlqyen. Kërkohet shumë. Nuk e prisja që do të bëja shumë varëse të tilla, por njerëzit e kërkojnë. Ata thonë se u pëlqen të tregojnë mbështetjen për Ukrainën”, thotë Linda Kuster, shitëse në rrjetin Etsy.
Ajo ia dërgon fitimet organizatës Care International, që jep ndihma emergjence për Ukrainën.
Henry Challis dhe bashkëshortja e tij, nga qyteti amerikan Baltimore, janë prindër të tre fëmijëve të adoptuar nga Evropa Lindore. Kur filloi lufta, ata donin të ndihmonin.
“E dija se lulet e diellit janë shumë popullore në Ukrainë dhe kanë marrë një simbolikë më të madhe gjatë luftës... Kështu që i vura së bashku ngjyrat e flamurit ukrainas, bëra shirita dhe byzylykë me citime nga thëniet e Presidentit Zelensky”, thotë zoti Challis.
Ai ka shitur mbi 170 byzylykë dhe porositë vazhdojnë të vijnë.
Artistja nga Nju Xhersi, Courtney Bush, e cila e reklamonte punën e saj në mbështetje të Ukrainës në rrjetin Instagram, kuptoi se mund të bënte më shumë.
“Bëj krijime të ndryshme artistike, që i shndërrova në një flamur shtëpie në mënyrë që njerëzit të mund të shfaqin mbështetjen në komunitet. Mblodha rreth 4 mijë dollarë. Nuk do të kisha dhuruar dot një shumë të tillë personalisht”, thotë zonja Bush.
Nuk janë vetëm amerikanët që mbështesin Ukrainën. Artizanë nga gjithë bota i janë bashkuar kauzës. Konstantino Iglesis dhe Paola Orlando po ndihmojnë nga Londra.
“Vendosëm se mund të ndihmojmë me atë çfarë dimë të bëjmë. Gruaja ime bën byzylykë. Unë e ndihmoj nga pak, por ajo prodhon çdo ditë byzylykë për të mbështetur Ukrainën”, thotë zoti Iglesis.
Stilistja nga Egjipti, Asmaa Ibrahim, shet bluza dhe triko në rrjetin Etsy. Në mars ajo mblodhi 1400 dollarë që ia dhuroi UNICEF-it.
“Morëm shumë porosi. Shitëm rreth 500 objekte. Morëm shumë dashuri nga njerëzit që me kënaqësi duan të ndihmojnë popullin ukrainas”, thotë ajo.
Sulmi i Rusisë në Ukrainë vazhdon dhe megjithëse donacionet private po vërshojnë, ekspertët thonë se nevojat humanitare të vendit do të rriten.