Udhëheqësit e BE-së vizitojnë Kievin dhe Buçën  

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në qytetin Buça në Ukrainë

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha se vdekjet e civilëve në qytetin ukrainas të Buças treguan "fytyrën mizore" të ushtrisë së presidentit rus Vladimir Putin dhe premtoi të mbështesë Kievin në mbrojtjen e "kufirit të Evropës".

Zonja von der Leyen e vizitoi qytetin ku zyrtarët ukrainas thonë se qindra civilë u vranë nga forcat ruse, gjatë një vizite në Ukrainë bashkë me kryediplomatin e BE-së Josep Borrell.

Your browser doesn’t support HTML5

Udhëheqësit e BE-së vizitojnë Kievin dhe Buçën

Para se të shkonin në Buça ata vizituan Kievin për t'i ofruar presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy mbështetje dhe siguri lidhur me kërkesën e tij për anëtarësim në BE.

Duke udhëtuar me tren nga Brukseli në Kiev, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen u tha gazetarëve se mesazhi më i rëndësishëm që ajo po i sillte zotit Zelenskiy ishte se "do të ketë një rrugë drejt BE-së" për Ukrainën.

“Zakonisht duhen vite përpara se Këshilli i BE-së të pranojë një aplikim për anëtarësim, por Ukraina e bëri këtë brenda një ose dy javësh dhe unë dua që të ecim përpara sa më shpejt të jetë e mundur”, tha ajo.

"Qëllimi ynë është të paraqesim kërkesën e Ukrainës në këshill këtë verë."

Kryediplomati i BE-së, Borrell u tha gazetarëve se vizita ishte një sinjal se "Ukraina ka nën kontroll territorin e saj" dhe qeveria vazhdon të drejtojë vendin.

"Ukraina nuk është një vend i pushtuar, i dominuar. Ka ende një qeveri që pret njerëz nga jashtë vendit dhe mund të udhëtohet në Kiev," tha zoti Borrell.