Dmitry Muratov, kryeredaktori i një prej gazetave kryesore të pavarura ruse, Novaya Gazeta, tha se ishte sulmuar nga një person i panjohur, i cili i kishte hedhur një përzierje boje të kuqe me açeton.
Zoti Muratov, fitues i çmimit Nobel për Paqe për vitin 2021 së bashku me gazetaren filipinase Maria Ressa, ndodhej në tren në momentin e sulmit. Ai ishte nisur nga Moska drejt Samaras.
Një foto e zotit Muratov e postuar nga gazeta, e tregonte atë të mbuluar tërësisht me bojë të kuqe.
Zoti Muratov tha se sulmuesi kishte bërtitur: "Muratov, kjo është për djemtë tanë".
Duke folur mbi sulmin për gazetën Novaya Gazeta, botimin evropian të saj, ai tha se i digjnin shumë sytë.
Novaya Gazeta, një gazetë kryesore e pavarur ruse, i pezulloi operacionet muajin e kaluar pasi tha se kishte marrë paralajmërime nga autoritetet ruse.
Gazeta tha se ishte paralajmëruar dy herë nga Roskomnadzor, rregullatori shtetëror i mediave.
Më herët të enjten, gazetarët e Novaya Gazeta, që u larguan nga Rusia, mes të goditjes së vazhdueshme ndaj raportimit të pavarur thanë se kanë hapur një media të re që synon të mbulojë lajmet dhe zhvillimet në Rusi dhe në mbarë botën, në gjuhën ruse dhe disa gjuhë të tjera.
Rusia ka vendosur kufizime të rrepta lidhur me mënyrën se si mediat duhet të flasin mbi luftën e Moskës në Ukrainë.
Disa media të tjera ruse kanë zgjedhur tashmë pezullimin e operacioneve në vend që të përballen me kufizime të rënda lidhur me atë se çka mund të raportojnë, dhe Kremlini gjithashtu ka bllokuar veprimtarinë e shumë mediave të huaja.