Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy tha të martën se ushtria ruse dhe ata që i dhanë asaj urdhra për sulmet në vendin e tij, duhet të çohen para drejtësisë.
Në një fjalim përmes videos para Këshillit të Sigurimit, zoti Zelenskiy tha se “kemi të bëjmë me një shtet që po e kthen veton në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në një të drejtë për të shkaktuar vdekje”, dhe i bëri thirrje OKB-së të veprojë menjëherë për t’ia hequr këtë të drejtë vetoje Rusisë.
“Si rezultat i veprimeve të Rusisë në vendin tonë, në Ukrainë, po kryhen sulmet më të tmerrshme të luftës që nga Lufta e Dytë Botërore”, tha ai.
Në fjalimin e tij, zoti Zelenskiy përshkroi në detaje skenat e zymta në qytetin e Buças, duke thënë se Moska donte t’i kthente ukrainasit në 'skllevër të heshtur'.
“Ushtria ruse ndoqi dhe vrau me dashje të gjithë këdo që i shërbente vendit tonë. Ata qëlluan dhe vranë gra para shtëpive të tyre ndërsa ato thjesht po përpiqeshin të thërrisnin ata që mund të kishin mbetur gjallë. Ata vranë familje të tëra, të rritur dhe fëmijë, dhe u përpoqën t'i digjnin trupat e tyre”, tha ai.
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Linda Thomas-Greenfield tha se ekzistojnë prova të shumta për krime lufte nga ana e Rusisë në Ukrainë.
“Bazuar në informacionin që kemi aktualisht në dispozicion, Shtetet e Bashkuara vlerësojnë se anëtarë të forcave ruse kanë kryer krime lufte në Ukrainë”, tha ajo.
Ambasadorja Thomas-Greenfield përsëriti thirrjen për përjashtimin e Rusisë nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut. Ambasadori i Shqipërisë, Ferit Hoxha e mbështeti këtë thirrje.
“Rusia ka një detyrim ndërkombëtar t'i përmbahet ligjit ndërkombëtar ushtarak, ligjetve të luftës përfshirë Konventën e Gjenevës të vitit 1949 dhe protokollin e saj të parë shtesë. Rusia ka detyrimin të respektojë urdhrin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ndalur menjëherë aktivitetin ushtarak në Ukrainë. Por për fat të keq, Rusia ka vendour të mos respektojë asnjë prej tyre dhe e ka përjashtuar veten nga ligji ndërkombëtar”, tha ai.
Shefja e çështjeve politike të OKB-së, Rosemary DiCarlo tha se Kombet e Bashkuara kishin marrë akuza të besueshme "se forcat ruse kanë përdorur bomba thërrmuese në zonat e populluara të paktën 24 herë".
Ajo tha se po hetoheshin gjithashtu njoftimet se forcat ukrainase kanë përdorur armë të tilla.
Zonja DiCarlo tha se ka pasur gjithashtu akuza për dhunë seksuale të lidhur me konfliktin nga ana e forcave ruse.
“Ato përfshijnë përdhunime në grup dhe përdhunime para fëmijëve. Ka gjithashtu pretendime për dhunë seksuale nga forcat ukrainase dhe milicitë e mbrojtjes civile", tha ajo.
Ajo tha se Misioni Monitorues i OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Ukrainë po punonte të verifikonte të gjitha akuzat.
Ambasadori i Rusisë në OKB Vassily Nebenzia tha para këshillit se " dëgjuam edhe një herë një numër të madh gënjeshtrash për ushtarët dhe ushtrinë ruse".
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres paralajmëroi Këshillin e Sigurimit se agresioni i Ukrainës nga Rusia është një nga sfidat më madhore ndaj rendit ndërkombëtar "për shkak të natyrës, intensitetit dhe pasojave të tij".