Agresioni rus ndaj Ukrainës po bëhet çdo ditë e më vdekjeprurës, me udhëheqësit botërorë që akuzojnë Rusinë për krime lufte, ndërsa videoja nga Buçani në periferi të Kievit tregon njerëz të qëlluar dhe të lënë të vdekur në rrugë.
Your browser doesn’t support HTML5
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ishte në Buça, më pak se 30 kilometra larg kryeqytetit, ku trupat pa jetë dergjen në rrugë, disa me duar të lidhura pas shpine.
“Është shumë e vështirë të flasësh kur sheh se çfarë kanë bërë këtu – njerëz të lënë në rrugë, bodrume, me duar të lidhura, ose të torturuar.” // "Këto janë krime lufte dhe ato do të njihen nga bota si gjenocid".
Pentagoni thotë se është “e qartë” se Rusia është përgjegjëse. Presidenti Joe Biden të hënën dënoi brutalitetin.
"Ajo që po ndodh në Buça është skandaloze dhe të gjithë e shohin".
“Mendoj se është krim lufte”.
Gazetari: Çfarë do të bëni? A do të vendosni më shumë sanksione ndaj Rusisë?
"Po kërkoj të vendosen më shumë sanksione, po", tha presidenti Biden.
Rusia ka mohuar të ketë përgjegjësi dhe i ka quajtur imazhet në Buça "të rreme".
“Pasi ushtria ruse u largua sipas planeve dhe marrëveshjes, u inskenua një video e rreme, që tani po përhapet në të gjitha kanalet mediatike dhe mediat sociale nga përfaqësuesit ukrainas dhe aleatët e tyre perëndimorë", tha ministri i jashtëm rus Sergey Lavrov.
Por imazhet satelitore tregojnë se trupat e pajetë ishin të shtrirë në Buça për javë të tëra, përpara se trupat ruse të largoheshin.
Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby tha se shumica e trupave ruse të grumbulluara pranë Kievit dhe periferive të tij janë tërhequr, duke lëvizur për t’u rifurnizuar.
“Rusët kanë hequr dorë, të paktën për momentin, nga ofensiva tokësore kundër Kievit”.
Zyrtarët perëndimorë thonë se Rusia tani duket e gatshme të përqëndrohet më shumë në rajonin e Donbasit në lindje, ku kohët e fundit ka patur rritje të sulmeve ajrore dhe lëvizje të trupave ushtarake ruse.
Zyrtarët ukrainas paralajmërojnë se mizoritë në qytete dhe zona të tjera, ku ata ende nuk kanë arritur të hyjnë, mund të jenë edhe më të egra se ato në Buça.