SHBA kërkon përjashtimin e Rusisë nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut

L

Shtetet e Bashkuara thanë të hënën se do të kërkojnë nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së që të vendosë për përjashtimin e Rusisë nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, duke përmendur si arsye akuzat për krime lufte të kryera në Ukrainë.

"Pjesëmarrja e Rusisë në Këshillin e të Drejtave të Njeriut është një farsë", tha ambasadorja Linda Thomas-Greenfield. "Ndaj ne besojmë se është koha që Asambleja e Përgjithshme e OKB-së të votojë për ta hequr atë".

Ambasadorja amerikane në OKB, Thomas-Greenfield, e bazoi thirrjen e saj për largimin e Rusisë në pretendimet e Ukrainës se trupat ruse kanë vranë dhjetëra civilë në qytetin e Buças.

Ukraina tha se po heton rreth vrasjeve ndërsa Rusia nga ana tjetër i ka hedhur poshtë akuzat.

Për përjashtimin e Rusinë nga këshilli nevojiten dy të tretat e votave të asamblesë prej 193 anëtarësh. Këshilli, me bazë në Gjenevë, ka një funksion kryesisht simbolik, por ai mund të autorizojë hetime për shkeljet e të drejtave të njeriut.

Rusia është në vitin e dytë të mandatit tre-vjeçar në këshillin prej 47 anëtarësh. Moska nuk ka komentuar ende mbi thirrjet për largimin e saj nga ky organizëm.

Që prej fillimit të sulmit të Moskës në Ukrainë më 24 shkurt, Asambleja e Përgjithshme ka miratuar dy rezoluta që dënojnë veprimet e këtij vendi.