Shumica e personave që i largohen luftës së Rusisë në Ukrainë janë gjyshe, nëna dhe fëmijë. Siç njofton nga Medyka e Polonisë korrespondentja e Zërit të Amerikës, Celia Mendoza, secila prej tyre ka një histori të veçantë dhe shpresa për të ardhmen.
Your browser doesn’t support HTML5
Disa javë më parë, Vira Pavlivna ishte një gjyshe e zakonshme ukrainase. Sot ajo është refugjate.
"Në kohët sovjetike jetonim mirë. Pas kësaj nuk do na duhet më Rusia ndoshta. Nuk di si ta shpjegoj", thotë ajo.
Zonjës Pavlivna iu desh të largohej nga Kievi së bashku me nipërit për të shpëtuar jetën e tyre.
"Për shkak të luftës, për shkak të bombave. Pasi po e bombardojnë Ukrainën. Qëllojnë ndaj fshatrave. Po bëjnë gjëra të frikshme. Të gjithë shkuan aty ku mundën. Ne u përpoqëm të qëndronim së bashku, por tashmë vendosëm të shpëtojmë fëmijët... engjëjt tanë. Nuk është faji i tyre", thotë ajo.
Yulia Usik është nënë e dy fëmijëve. Pasi i mbijetoi për gati dy javë sulmeve të forcave ruse dhe bombardimeve, zonja Usik dhe bashkëshorti i saj vendosën se ishte koha të largoheshin nga Kievi.
"Po sulmoheshim dhe po na bombardonin për 13 ditë, dhe bashkëshorti im m'u lut t'i nxirrja fëmijët nga vendi pasi po traumatizoheshin... Burri im është 33 vjeç. Premtoi se do kthehej për ne", thotë zonja Usik.
Lilia Kostenko është gjyshe e dy djemve, Timurit dhe Damirit. Plani i familjes së saj ishte që fillimisht të qëndronin në një kabinë jashtë Kievit. Por, ndërsa forcat ruse u afruan, planet ndryshuan.
"Burrat na thanë 'shkoni në Lviv'. Miqtë e vajzës sonë na morën në shtëpinë e tyre. Pastaj filluan edhe aty shpërthimet, hodhën në erë aeroportin dhe ne vendosëm të largoheshim, tashmë së bashku me miqtë e vajzës", thotë zonja Kostenko.
Ajo nuk kishte imagjinuar kurrë se do të përjetonte luftën në shekullin e 21-të, mbi 75 vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
"Gjyshi im luftoi në Poloni dhe sigurisht që është e tmerrshme. Më kujtohet", tregon ajo.
Për zonjën Pavlivna, është si të jetë kthyer pas në histori.
"E mbaj mend gjendjen e vendit, se si ishin fshatrat në atë kohë. 1954 ishte vit shumë i vështirë. O Zot. Ne duam paqe dhe ushtarët që janë atje munden të na mbrojnë. Thjesht duam që çdo gjë të jetë mirë dhe që do të ketë paqe", thotë ajo.
Refugjatët i thonë Zërit të Amerikës se shpresojnë që do të jenë në gjendje të shkojnë në shtëpi një ditë me fëmijët dhe nipërit, për të cilët thonë se janë të rinj dhe rezistentë, dhe se do ta tejkalojnë traumën e luftës kur paqja të rikthehet në Ukrainë.