Shqipëri, të rinjtë i kthehen kodimit si një profesion që siguron punësim

Kompania Globale e Edukimit për Teknologjitë Coding Dojo e ka përfshirë Shqipërinë në planet e saj të zgjerimit, duke rritur vazhdimisht numrin e studentëve.

Ajo synon që Shqipëria të ketë 100 mijë kodues me aftësi teknologjike të përparuara. Shumë të rinj po ndjekin po ndjekin akademitë e ngritura për këtë qëllim, ndër qarqet e biznesit po investojnë për zhvillimin e teknologjive elektronike.

Your browser doesn’t support HTML5

Të rinjtë shqiptarë zhvillojnë aftësitë teknologjike në fushën e kodimit

Drejtori ekzekutiv i kompanisë Coding Dojo, Richard Wang, e vizitoi Tiranën, ku u takua me studentë dhe përfaqësues të kompanive, që e kanë përparësi themelore zhvillimin teknologjik.

Ai thotë se qëllimi është që të përgatiten një brez koduesish në fusha si zhvillim web-i, siguria kibernetike, shkencat e të dhënave, specialistë për të cilët Shqipëria ka nevojë tani dhe do të ketë nevojë edhe më shumë në të ardhmen.

“Shoh se në Shqipëri rinia ka shumë energji dhe është e etur të mësojë të rejat e shkencës. Ne jemi këtu prej dy vjetësh dhe kemi trajnuar mbi 100 persona që të përshtaten me këtë industri bashkëkohore për nevojat e vendit. Krahas Shqipërisë, kemi partnerë edhe në Kosovë, Lindjen e Mesme, Amerikën Latine, kontinentin e Afrikës” - thotë zoti Wang. Kompania Coding Dojo, që ai drejton, ka partner në Shqipëri betaPlan Coding Bootcamps.

Një prej kompanive që ofron zhvillimin e teknologjisë prej dy vjtësh në Shqipëri është Kompania Sisal Albania. Ajo e ka qendrën në Milano të Italisë, si dhe ka shtrirje në Spanjë, Marok, Turqi e Angli.

Irma Sheqi, një përfaqësuese e kompanisë në këto takime, thotë se mundësitë për zhvillim janë të pafundme, dhe karriera ecën duke mësuar të rejat dhe përshtatur me to. Irma thotë se puna online zbut emigrimin e të rinjve dhe u siguron atyre paga shumë të mira për kushtet e Shqipërisë.

“Të rinjtë bëhen profesionistë dhe largohen nga Shqipëria. Ne përpiqemi të frenojmë këto largime, duke ofruar punë nga shtëpia, dhe duke u dhënë një mundësi më shumë, falë teknologjive të reja” - thotë zonja Sheqi.

Anxhela Riska ka mbaruar universitetin ne shkencat e natyrës për matematikë të aplikuar. Ajo ka ndjekur për 3 muaj akademitë e kodimit pranë kompanisë BetaPlan.

“Kodimi besoj se është e ardhmja në botë dhe në Shqipëri. Për të rinjtë kodimi është një mundësi shumë e mirë për të gjetur punë dhe të punosh për një kompani të huaj duke qëndruar në Shqipëri” - thotë studentja Riska.

Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri diskutoi në një takim me drejtuesin e kompanisë Coding Dojo mbi riaftësimin dhe trajnimin e forcës punëtore për një realitet të ri post-pandemik.

Pjesëmarrësit mësuan më shumë mbi transformimin dixhital dhe rëndësinë që ka krijimi i një klase koduesish, që do t’i shërbejë zhvillimeve dixhitale në ekonomi.

“Mesazhi im kryesor është se tani ne jemi në revolucionin e katërt industrial. Kjo po sjell më shumë zhvillime në ekonomi. Secila kompani prodhuese ka nevojë tani për specialist, që të njohin kompjuterat, internetin, shërbimet elektronike, sigurinë dhe mbrojtjen e të dhënave. Ndaj po bëhet përherë e më shumë e nevojshme që njerëzit të kuptojnë kodimit, këtë gjuhë të re të zhvillimit dhe të mësojnë ta përdorin atë” - thotë zoti Wang.

Shqipëria po përpiqet të lërë prapambetjen dhe izolimin, ku e zhyti diktatura komuniste, ndërsa të rinjtë po studjojnë mbi teknologjitë e reja, që të përshtaten me tregun e punës, ku dalin kërkesa përherë e më shumë të veçanta për kualifikimet e punonjësve.