Vritet duke mbuluar luftën një fotoreporter ukrainas

Fotoreporteri dhe kameramani Maksim Levin, u vra ndërsa mbulonte agresionin rus në Ukrainës. Gazetari që punonte për një media ukrainase dhe një bashkëpunëtor i agjencisë së lajmeve Reuters, la pas gruan dhe katër fëmijë.

Trupi i tij u gjet në një fshat në veri të kryeqytetit Kiev më 1 prill, tha të shtunën faqja ukrainase e lajmeve LB.ua ku ai punonte.

Levin, i lindur në 1981, ishte një producent filmash dokumentarë dhe kishte kontribuuar nga Ukraina për agjencinë Reuters që nga viti 2013.

Ai kishte qenë duke punuar në fshatin Huta Mezhyhirska, që ndodhej në një zonë me bombardime të rënda.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm në Ukrainë tha se fotoreporteri Levin "u vra nga ushtarakë të Forcave të Armatosura Ruse me dy të shtëna nga armë të lehta". Ky informacion nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur.

"U trishtuam thellësisht kur dëgjuam për vdekjen e Maksim Levinit”, tha John Pullman, një nga redaktorët menaxhues të agjencisë Reuters.

"Maks ka kontribuuar me fotografi dhe video nga Ukraina për Reuters-in që nga viti 2013. Vdekja e tij është një humbje e madhe për botën e gazetarisë. Në këtë kohë të vështirë, mendimet tona janë me familjen e tij."