Presidenti Joe Biden u kërkoi ligjvënësve amerikanë të miratojnë dhjetëra miliarda dollarë për të luftuar koronavirusin, nga të cilat 5 miliardë dollarë janë caktuar për programin amerikan në ndihmë të vendeve të tjera. Zoti Biden, i cili mori dozën e dytë përforcuese të vaksinës të mërkurën, paralajmëroi se mosmiratimi i paketës në fjalë do të rrezikojë që Shtetet e Bashkuara dhe bota të bëjnë hapa prapa.
Amerikanët mund të mendojnë se pandemia ka marrë fund, tha Presidenti Joe Biden të mërkurën ndërsa mori dozën e dytë përforcuese, por e vërteta është ndryshe.
Zoti Biden i ka kërkuar Kongresit 5 miliardë dollarë fonde për reagimin global ndaj pandemisë dhe shuma të tjera për testimin dhe vaksinimin në vend.
“Duhet të sigurojmë furnizime shtesë tani. Duhet vepruar para një vale tjetër rastesh ose do të jetë shumë vonë. Kërkohen fonde për të vazhduar përpjekjet tona për vaksinimin e botës, angazhime që ne kemi marrë. Është thelbësore që të kemi aftësitë për t’u mbrojtur ndaj varianteve të reja. Nuk ka asnjë mur, që mund ta ndërtosh aq të lartë sa të pengojë virusin.”
Ndërsa shumë amerikanë përgatiten të marrin dozën e dytë përforcuese, një shtresë mbrojtjeje që i ofrohet grupmoshës mbi 50 vjeç, zyrtarët e lartë të shëndetësisë lëshuan alarmin të mërkurën se pandemia mbetet një kërcënim global pasi ka shumë njerëz që ende nuk kanë marrë asnjë dozë të vaksinës.
“Ne nuk pajtohemi me pikëpamjen se duhet të ketë një standard të ndryshëm për njerëzit në vendet e pasura kundrejt të tjerëve. Nëse (vaksina) nevojitet për vendet me të ardhura të larta dhe të mesme, ajo nevojitet për të gjithë”, thotë Dr. Bruce Aylward me Ogranizatën Botërore të Shëndetësisë.
Kjo pabarazi ka rënduar kryesisht tek vendet në zhvillim, ku mungesa e vaksinave dhe trajtimeve i ka detyruar qeveritë të vendosin masa të tjera në përpjekje për të ndaluar përhapjen.
Agjencia e OKB-së për fëmijë paralajmëron se 147 milionë fëmijë kanë humbur më shumë se gjysmën e arsimimit në bangat e shkollës gjatë dy viteve të fundit si rezulat i problemeve të shkaktuara nga pandemia.
Grupe të të drejtave të njeriut ngren shqetësimin se, mes bllokimeve në rritje në vende si Kina, disa qeveri kanë shfrytëzuar pandeminë për shtypur liritë. Organizata Amnesty International paralajmëroi se situata ka çuar në "pabarazi më të thellë dhe paqëndrueshmëri më të madhe".
Dy vitet e fundit, tha Presidenti Biden, kanë qenë një betejë globale kundër pandemisë. Megjithëse shumë amerikanë mendojnë se pandemia ka marrë fund, lufta vazhdon për qindra milionë njerëz në mbarë botën.