Policia arrestoi mbrëmjen e të martës në Fier “të dyshuarin për disa vrasje” Nuredin Dumani, të cilin e cilësoi si “një prej personave më të kërkuar”.
Ai dyshohet se u qëllua me armë zjarri brenda automjetit në rrugën Elbasan - Cërrik 5 orë para arrestimit në Fier, afro 100 kilometra larg vendngjarjes, kur u kap i plagosur dhe me armë zjarri.
Gjatë operacionit policor u arrestuan edhe tre persona të tjerë, ndërsa në banesën ku fshihej Dumani u gjet një armë zjarri automatike si dhe prova të tjera.
Policia detajoi, në një konferencë shtypi pas mesnate, se gjatë operacionit në Fier dhe Elbasan janë kapur dy armë zjarri pistoletë dhe dy armë zjarri kallashnikov.
Këto dy qytete prej shumë vitesh janë shndërruar në qendra kryesore për veprimtarinë dhe strehimin e grupeve kriminale, të cilat godasin njëra tjetrën në për rrugë e lokale, duke shkaktuar vrasje, plagosje dhe pasiguri.