Evropianët dëbojnë dhjetëra diplomatë rusë, të dyshuar për spiunazh

Të paktën katër vende evropianë dëbuan sot (e martë) dhjetëra diplomatë rusë si pjesë e veprimeve në dukje të koordinuara për të luftuar spiunazhin rus.

Këto masa vijnë mes përkeqësimit të marrëdhënieve Rusi-Perëndim lidhur me sulmin e Moskës ndaj Ukrainës.

Holanda njoftoi se po dëbonte 17 shtetas rusë të cilët siç tha janë oficerë të zbulimit të maskuar si diplomatë. Belgjika njoftoi gjithashtu se po dëbonte 21 shtetas rusë. Republika Çeke i dha një diplomati rus 72 orë afat për t'u larguar nga vendi. Irlanda u kërkoi katër zyrtarëve të lartë rusë që të largoheshin për shkak të aktiviteteve që konsideroheshin jo në përputhje me standardet ndërkombëtare të sjelljes diplomatike.

Të hënën Maqedonia e Veriut njoftoi se po dëbonte pesë diplomatë rusë për ato që i quajti aktivitete në kundërshtim me Konventën e Vjenës mbi marrëdhëniet diplomatike.

Së bashku me aleatët tanë, ne po reduktojmë praninë e anëtarëve të zbulimit rus në Bashkimin Evropian”, bëri të ditur Ministria e Jashtme çeke.

Javën e kaluar Polonia dëboi 45 shtetas rusë të cilët qeveria i identifikoi si oficerë të zbulimit të cilët përdornin statusin e tyre diplomatik si mbulesë për të vepruar në këtë vend.

Autoritetet holandaze bënë të ditur se e morën vendimin në konsultim me një numër vendesh që ndanin të njëjtin mendim, duke përmendur masa të ngjashme nga Shtetet e Bashkuara, Polonia, Bullgaria, Sllovakia, Estonia, Letonia, Lituania dhe Mali i Zi.

Kemi vendosur ta bëjmë këtë për shkak të kërcënimit ndaj sigurisë kombëtare që paraqet ky grup. Qëndrimi aktual i Rusisë në një kuptim më të gjerë, e bën të padëshirueshme praninë e këtyre oficerëve të zbulimit. Dëbimi është një masë e marrë në kuadrin e sigurisë kombëtare”, thuhej në një deklaratë të autoriteteve holandeze.

Ministri i Jashtëm holandez Wopke Hoekstra tha se ishte i përgatitur për një veprim hakmarrës nga Moska.

"Përvoja tregon se Rusia nuk i lë pa përgjigje këto lloj masash. Nuk mund të spekulojmë për këtë, por Ministria e Punëve të Jashtme është e përgatitur për skenarë të ndryshëm që mund të lindin në të ardhmen e afërt", tha ai.

Kjo në fakt u provua më herët gjatë ditës së martë, kur Rusia njoftoi se do të dëbonte 10 diplomatë nga tre shtetet baltike të Bashkimit Evropian, Estonia, Letonia dhe Lituania si hakmarrjeje ndaj tyre për dëbimin e diplomatëve rusë në fillim të këtij muaji.

Ministria e Jashtme ruse tha se ka anuluar akreditimin e katër diplomatëve lituanezë, tre letonezë dhe tre estonezë dhe se atyre do t'u kërkohet të largohen nga vendi. Kjo korrespondon me numrin e diplomatëve rusë të dëbuar më parë nga secili prej këtyre vendeve.

Më 18 mars, tre vendet baltike urdhëruan dëbimin e 10 anëtarëve të personelit të ambasadës ruse në një veprim të koordinuar të ndërmarrë për të treguar solidaritet me Ukrainën.

Moska e quajti atë veprim provokues dhe krejtësisht të pabazë duke bërë të ditur se kishte thirrur ambasadorët e Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë në Moskë për t’u paraqitur një protestë zyrtare.