Pas inceneratorit të Elbasanit, hetimet e prokurorisë së posaçme kanë çuar në goditjen e zyrtarëve të përfshirë dhe në inceneratorin e Fierit. Përveç anëtarëve të komisioneve të prokurimit, ish administratorit në Fier, drejtorit të Albpetrolit dhe një zyrtari lokal, emri më i spikatur është ai i deputetit socialist Alqi Bllako. Për këtë të fundit, SPAK-u pret vendimin e parlamentit, për të marrë autorizimin për ta arrestuar.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, në funksionin e tij si Sekretar i Përgjithshëm, i Ministrisë së Mjedisit dhe më pas Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve, ai dyshohet se ka favorizuar shoqërinë përfituese të koncensionit, në këmbim “të përfitimeve të parregullta” me një vlerë prej afro 150 mijë dollarë. Për pasojë nën sekuestro ka përfunduar një apartament, me sipërfaqe 99.48 m2, në Tiranë, në pronësi të babait të deputetit Bllako, i punësuar nga kompanitë e inceneratorëve.
Po ashtu Bllako, akuzohet se në bashkëpunim me Kryetarin e Komisionit të Shpronësimit, Pëllumb Abeshi, dhe me ish Ministrin e Mjedisit Lefter Koka kanë përgatitur dokumentacion të falsifikuar në lidhje me të dhënat e pronës së shpronësuar, për ndërtimin e inceneratorit të Fierit, duke ndryshuar cilësimin nga “arë” në “tokë truall”, me pasojë një dëm ekonomik prej afro 160 mijë dollarësh.
Deputeti socialist reagoi në mbrëmje, përmes një statusi në Facebook, ku shkruan se është “i tronditur nga kërkesa e SPAK-ut për ndalimin tim”, duke shprehur bindjen se “një proces i paparagjykuar dhe i drejtë do ta provonte lehtësisht pafajësinë time”, dhe se “as kam shkelur kurrë ligjet e vendit e madje as kam thyer kurrë etikën e detyrës që kam ushtruar”.
Zoti Bllako bëri të ditur se ka vendosur që nesër të dorëzojë mandatin e deputetit, ndërkohë që është njoftuar për pasdite mbledhja e Këshillit të mandateve për shqyrtimin e kërkesës së SPAK-ut. “Nuk ka arsye të angazhohet Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për këtë çështje dhe as nuk dua të përfitoj apo të më ofrohet një trajtim ndryshe nga çdo qytetar tjetër i vendit tonë. Unë nuk kam mburojë mandatin e deputetit, por të vërtetën për pafajësinë time. Këtë do ta provoj në gjykatë dhe përpara opinionit publik”, - shkruan deputeti socialist.
Ish ministri Koka u arrestua në dhjetor të vitit të kaluar për rastin e Elbasanit. Ai ka këmbëngulur vazhdmisht në pafajësinë e tij. Zoti Koka, dyshohej mes të tjerash, se ka përfituar në formën e ryshfetit 3.7 milionë dollarë. Me të njëjtën skemë, atë të pagesave për punë të pa kryer, në favor të disa kompanive të lidhura me të, ai dyshohet, sipas hetimeve, të ketë përfituar në rastin e Fierit dhe 1.4 milionë dollarë të tjerë. Nga hetimet është zbuluar se “nga shoqëritë “Integrated Technology Waste Treatment Energy” sh.p.k., (shoqëria që ka përfituar koncesionin) dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k., (shoqëria që ka zbatuar punimet për ndërtimin e objektit të koncesionit) janë pranuar fatura tatimore shitjeje dhe janë paguar detyrimet financiare për këto fatura tatimore për disa shoqëri të tjera, për punime që në të vërtetë nuk janë kryer”. Këto shoqëri dyshohet të kenë qenë të kontrolluara në mënyrë të tërthortë prej ish ministrit Koka dhe prej personave familjarë të tij.
Për këtë arsye, ndaj tij, është lëshuar një urdhër i dytë arresti, si dhe janë sekuestruar katër pasuri me sipërfaqe totale prej 3 344.8 m2, vlera e së cilave është përllogaritur si e barabartë me shumën e ryshfetit që ai dyshohet të ketë marrë.
Një urdhër i dytë arresti është lëshuar dhe për Klodian Zoton, administrator i Kompanisë në rastin e Elbasanit, dhe zotërues i 70 përqind të aksioneve në inceneratorin e Fierit, aktualisht në kërkim.
Akuzat ndaj të arrestuarve të sotëm shkojnë nga “Shpërdorimi i detyrës ”, te ato për “Korrupsion” apo dhe “Pastrim parash”.
Afera e inceneratorëve shihet si një ndër rastet më të mëdha dhe flagrante të korrupsionit, ndonëse qeveria ka këmbëngulur t’i konsiderojë ato si veprime personale të të arrestuarve. “PSSH ka vendosur një vijë të kuqe, me këdo, sapo ndaj një përfaqësuesi te PS drejtësia kërkon ose vendosë një masë sigurie ose sjell në kuvend një kërkese për hetime apo për çështje të tjera. Natyrshëm që vija e kuqe është që PS nuk është mburojë për askënd. Në këtë këndvështrim kjo duhet të jetë një vije e kuqe për këdo dhe ne do vazhdojmë te mbajmë këtë qëndrim që kemi mbajtur në mënyrë konsenguente, gjithmonë që jemi vendosur para një situate të tillë”, - deklaroi kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.
Dy forcat politike të pozitës, Partia Demokratike dhe LSI, ishin ndër denoncueset e koncensioneve të inceneratorëve, duke vunë në lëvizje dhe drejtësinë. Drejtuesja e Komisionit hetimor për inceneratorët Jorida Tabaku, tha sot se dhe arrestimet e fundit janë ende të pamjaftueshme: “Ne gjykojmë që çështja e Elbasanit, Fierit dhe Tiranës, siç kemi bërë thirrje të përsëritur gjatë muajve të fundit, duhet të trajtohen së bashku sepse këto persona, asnjëri prej tyre nuk ka operuar në mënyrë të vetme dhe të izoluar. Të gjithë këto persona kanë marrë vendimmarrje të përbashkët”.
Ndërsa për kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi, “çështja e inceneratorëve, është grup i strukturuar i mirëfilltë kriminal, e jo vetëm kriminal por dhe politik. Sepse nëpërmjet parave të inceneratorëve janë kapur elementët më të rëndësishëm të jetës politike shqiptare”.
Sipas zonjës Kryemadhi, sipërmarrësit e përfshirë në rastin e inceneratorëve, si Klodian Zoto, kanë patur të hapura dyert e shtetit dhe në fusha të tjera ku rezultojnë fitues të shumë tenederave disa miliona eurosh.