Projekt-buxheti i ri i presidentit Biden thekson rritjen e taksave për të pasurit dhe uljen e deficitit

US-POLITICS-ECONOMY-BUDGET-BIDEN

Presidenti Joe Biden njoftoi të hënën projekt-buxhetin për vitin 2023, ku parashikohet rritja e taksave për të pasurit, ulja e deficitit, shtimi i fondeve për policinë, arsimin, shëndetin publik dhe strehimin.

Gjatë një fjalimi në Shtëpinë e Bardhë së bashku me drejtoreshën e buxhetit, Shalanda Young, Presidenti Biden tha se projekt-buxheti dërgon një mesazh të qartë për publikun amerikan mbi "atë që vlerësojmë".

"Së pari, përgjegjësia fiskale, së dyti, siguria dhe së treti, investimet e nevojshme për të ndërtuar një Amerikë më të mirë”, tha ai.

Dokumenti në thelb përpiqet t'u tregojë votuesve se çfarë do të përfaqësonte një Parti Demokratike e larmishme dhe nganjëherë e përçarë përpara zgjedhjeve të Kongresit, të cilat do të mbahen në nëntor të këtij viti, nëse ajo e ruan shumicën.

Presidenti Biden propozoi një total prej 5.8 trilion dollarësh në shpenzime federale në vitin fiskal 2023-24, i cili fillon në tetor, pak më pak se sa ishte parashikuar të shpenzohej këtë vit përpara se të nënshkruhej në ligj projektligji i shpenzimeve shtesë këtë muaj. Deficiti parashikohet të jetë 1.15 trilionë dollarë.

Projekt-buxheti parashikon 795 miliardë dollar shpenzime për mbrojtjen, 915 miliardë dollarë për programet e brendshme dhe pjesa e mbetur do të përdohej për shpenzimet e detyrueshme si programet sociale, kujdesi shëndetësor për të moshuarit, kujdesi shëndetësor për të varfërit dhe pagesat për interesat e borxhit kombëtar.

Rritja e taksave për të pasurit, e njoftuar të hënën do të shtonte me 361 miliardë dollarë të ardhurat gjatë 10 viteve.

Më shumë para janë parashikuar për mbështetjen e forcave të zbatimit të ligjit, ndonëse përpjekjet dypartiake për reformën policore kanë dështuar.

Projekt-buxheti shihet si një hap për të theksuar para zgjedhjeve për Kongres se vendi është ende duke u rimëkëmbur nga pasojat e viteve kaotike të shkaktuar nga pandemia, recesioni ekonomik, sfidat e rimëkëmbjes ekonomike, dhe lufta në Ukrainë. Buxheti i propozuar nga presidenti Bidenit parashikon uljen e deficitit vjetor me më shumë se 1 trilion dollarë gjatë dekadës së ardhshme. Ky reduktim do të realizohej kryesisht përmes rritjes së taksave dhe skadimit të shpenzimeve të lidhura pandeminë e koronavirusit që filluan në 2020.

Por, si shumica e buxheteve të tjera presidenciale, edhe ky është një propozim me kërkesa ideale të partisë në pushtet dhe jo ligj i vendit. Kongresi është përgjegjës për miratimin e buxhetit, politikat tatimore dhe ndarjen e fondeve për agjencitë e qeverisë federale.