Ceremonia e 94-të e Akademisë nderoi me çmimin Oscar si filmi më i mirë "CODA", një pretendent pa shumë mbështetje që sjell në ekran vlerat e komunitetit të të shurdhërve. Pikat e tjera kulmore të ceremonisë përfshinin përleshjen e papritur mes komedianit Chris Rock dhe aktorit Will Smith dhe tre gra që morën Oscar-in për regjinë më të mirë, skenarin më të mirë të adaptuar dhe kolonën zanore më të mirë.
Your browser doesn’t support HTML5
Filmi "CODA", një histori prekëse me vetëm tre kandidatura për çmimin Oscar, mposhti kandidatët kryesorë të Akademisë në kategorinë e filmit më të mirë.
Ndërkohë, drama psikologjike "The Power of the Dog", në dukje e preferuara me dymbëdhjetë kandidatura për çmimet Oscar, mori vetëm një Oscar, atë për Regjinë më të Mirë.
"CODA", një film artistik që përfaqëson komunitetin e të shurdhërve, fitoi zemrat e audiencës dhe përhapi ndërgjegjësimin për komunitetin e personave që nuk dëgjojnë. Filmi përqendrohet tek Ruby, një 17-vjeçare që ndihmon familjen e saj të shurdhër të komunikojë me botën dhe të mbajë në këmbë biznesin familjar. Ruby-t i pëlqen të këndojë dhe ëndërron të shkojë në kolegj për të studiuar muzikë. Ëndrra e saj duket se bie ndesh me dashurinë dhe detyrimin ndaj familjes.
CODA fitoi mbështetje në mesin e votuesve të Akademisë si një film i rëndësishëm që përfaqëson sfidat e komunitetit të të shurdhërve. Gjithashtu, për herë të parë që nga viti 1986, kur aktorja e shurdhër Marlee Matlin fitoi Oscarin si Aktorja më të Mirë për rolin e saj në filmin “Children of a Lesser God”, aktori në filmin "CODA", Troy Kotcur, fitoi Oscarin në rolin dytësor, aktori i dytë që nuk dëgjon, që fiton një Oscar.
Gjatë fjalimit të pranimit, ai e vlerësoi çmimin e tij si momentin që i përfaqëson të gjithë në komunitetin e të shurdhërve. Regjisorja dhe shkrimtarja Sian Heder fitoi Oscarin për skenarin më të mirë të adaptuar.
Jane Campion fitoi Oscarin për regjinë më të mirë për filmin e saj "The Power of the Dog". Regjisorja nga Zelanda e Re është regjisorja e tretë femër që fiton një Oscar pas Chloe Zhao dhe Kathryn Bigelow.
Will Smith mori çmimin e tij të parë Oscar në kategorinë e aktorit më të mirë për interpretimin e tij në dramën "King Richard", si këmbëngulësi Richard Williams, babai dhe trajneri i tenisteve ikonë Venus dhe Serena Williams. Në fjalimin e tij të pranimit të çmimit, i përlotur Will Smith e quajti Richard Williams një mbrojtës të zjarrtë të familjes së tij.
Smith u shfaq qartësisht i tronditur pas grindjes me prezantuesin Chris Rock kur ky i fundit ofendoi gruan e tij. Will Smith i kërkoi falje Akademisë dhe të nominuarve.
Jessica Chastain mori Oscarin e saj të parë në kategorinë e aktores më të mirë për interpretimin e saj si evangjelistja amerikane Tammy Faye Bakker, në dramën filmike "The Eyes of Tammy Faye". Chastain ishte gjithashtu producente e filmit.
Për herë të parë gjithashtu, Ariana DeBose mori Oscarin si aktorja më e mirë në rol dytësor për interpretimin e saj në filmin "West Side Story" të regjizorit Stephen Spielberg. Ajo është gruaja e parë homoseksuale me ngjyrë që fiton një Oscar dhe gjithashtu latinja e dytë që fiton çmimin prestigjoz.
E para, ishte Rita Moreno, e cila fitoi Oscar-in për të njëjtin rol të Anitës 60 vjet më parë në versionin origjinal të filmit "West Side Story".
“Encanto” i Disney-t është filmi i parë i animuar me personazhe latinë që fiton një Oscar. Filmi përmban këngë të kompozuara nga Lin-Manuel Miranda.
Filmi epik fantastiko-shkencor i Denis Villeneuve "Dune" mori gjashtë çmime Oscar, mes të cilpëve për Kinematografinë më të Mirë nga Greig Fraser, Efektet Vizuale, Tingullin dhe Montazhin.
"Belfast" një histori emocionuese nga regjisori Kenneth Branagh për të gjetur gëzim në mes të dhunës gjatë trazirave në Belfast të Irlandës, fitoi Oscarin në kategorinë e skenarit më të mirë origjinal.
Oscari për këngën më të mirë i shkoi Billie Eilish për filmin e James Bond "No Time to Die", një çmim i arritur në 60-vjetorin e filmave Bond.