Në një fjalim të zjarrtë të shtunën në fund të udhëtimit të tij në Evropë, presidenti amerikan Joe Biden tha se homologu i tij rus Vladimir Putin "nuk duhet të qëndrojë në pushtet" dhe u zotua të mbrojë çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s. Fjalimi në Varshavë erdhi në fund të një jave diplomatike intensive të shoqëruar me diskutime në takimet e NATO-s, G-7-ës dhe me aleatët evropianë, në lidhje me sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës.
Your browser doesn’t support HTML5
Në Varshavë, një qytet dikur nën sundimin sovjetik, fjalimi i Presidentit Biden u shoqërua me referenca historike. Ai e krahasoi luftën në Ukrainë kundër forcave pushtuese ruse me luftën e shekullit të 20-të kundër komunizmit.
“Ishte një luftë e gjatë, e dhimbshme, që nuk zgjati me ditë dhe muaj, por vite e dekada. Por ne dolëm fitues në betejën e madhe për liri. Një betejë midis demokracisë dhe autokracisë, midis lirisë dhe shtypjes, midis një rendi të bazuar në rregulla dhe një rendi të qeverisur nga forca brutale. Në këtë betejë, ne duhet të jemi syhapur. Kjo betejë nuk do të fitohet brenda disa ditëve ose muajve. Duhet të bëhemi gati për një luftë të gjatë përpara.”
Presidenti Biden pati një mesazh të qartë për Rusinë.
“Mos mendoni të lëvizni as edhe në një centimetër të vetëm në territorin e NATO-s. Ne kemi një detyrim të shenjtë, bazuar në Nenin 5, për të mbrojtur çdo centimetër të territorit të NATO-s me fuqinë tonë të plotë kolektive.”
Presidenti Biden vlerësoi guximin e popullit ukrainas.
“Tani, në luftën e përhershme për demokraci dhe liri, Ukraina dhe njerëzit e saj janë në vijën e parë të frontit, duke luftuar për të shpëtuar vendin e tyre. Rezistenca e tyre e guximshme është pjesë e një lufte më të madhe për parimet thelbësore demokratike që bashkojnë të gjithë njerëzit e lirë.”
Ai tha se Ukraina do ta fitojë këtë luftë.
“Rusia kurrë nuk do të fitojë në Ukrainë, sepse njerëzit e lirë nuk do të pranojnë të jetojnë në një botë pa shpresë dhe në errësirë. Ne do të kemi një të ardhme ndryshe, një të ardhme më të ndritur të rrënjosur në demokraci dhe parime, shpresë dhe dritë, mirësjellje, dinjitet, liri dhe mundësi. Ky njeri nuk duhet të qëndrojë në pushtet”, tha Presidenti Biden.
Shtëpia e Bardhë më vonë tha se ky koment nuk do të thotë se presidenti po bënte thirrje për ndryshimin e regjimit në Rusi. Por Kremlini reagoi me shpejtësi, duke thënë se populli rus duhet të zgjedhë udhëheqësin e tij, jo Joe Biden.
Pas fjalimit, disa protestues në turmë kërkuan që NATO t'i japë Ukrainës avionë luftarakë dhe të vendosë një zonë ndalim-fluturimi, kërkesa që aleanca perëndimore i ka refuzuar deri më tani.
“Të gjitha këto premtime për 14 miliardë dollarë ndihmë nuk po përdoren për sigurimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore. Ushtria jonë ka nevojë të madhe për armë të vërteta. Ne nuk po kërkojmë trupa amerikane. Burrat tanë, miqtë tanë, shokët dhe shoqet tona janë tani në Ukrainë duke luftuar për çdo centimetër të territorit ukrainas”, tha protestuesja Daria Kaleniuk.
Më herët, Presidenti Biden u takua me refugjatë ukrainas në Varshavë. Rreth 3.8 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina që nga fillimi i sulmit të Rusisë.
Udhëtimi i presidentit vjen në një moment përcaktues për Evropën. Mesazhi i tij për unitet të palëkundur me aleatët e NATO-s është mirëpritur ngrohtësisht.
Por në anën tjetër të kufirit Poloni-Ukrainë, njerëzit vazhdojnë të përballen me sulmin rus, ndërsa qytetet e tyre goditen nga raketat e ushtrisë ruse.