Akuza penale ndaj agjentëve rusë për sulm ndaj centralit bërthamor amerikan

Një central bërthamor në Shtetet e Bashkuara

Zyrtarët amerikanë dhe britanikë akuzuan të enjten qeverinë ruse për një fushatë shumëvjeçare për të sulmuar infrastrukturën jetësore, përfshirë një central bërthamor amerikan dhe një rafineri saudite të naftës.

Njoftimi u shoqërua me zbardhjen e akuzave penale kundër katër zyrtarëve të qeverisë ruse, të cilët Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së i akuzoi për kryerjen e dy operacioneve të mëdha hakerimi që synonin sektorin global të energjisë. Mijëra kompjutera në 135 vende u prekën midis vitit 2012 dhe 2018, thanë prokurorët amerikanë.

Analistët e sigurisë kibernetike i përshkruan lëvizjet si një goditje ndaj Moskës pasi Presidenti amerikan Joe Biden kishte paralajmëruar vetëm ditë më parë për "të dhëna zbulimi në vazhdimësi" se qeveria ruse mund të përgatiste sulme kibernetike kundër objektivave amerikane.

John Hultquist, firma Mandiant e të cilit hetoi sulmin kibernetik tek rafineria saudite, tha se duke i bërë publike akuzat penale, Shtetet e Bashkuara "bëjnë të ditur se ne e dimë se kush janë ata".

Në njërën nga dy paditë e zbardhura të enjten, por të paraqitura në qershor 2021, Departamenti i Drejtësisë akuzoi Evgeny Viktorovich Gladkikh, një punonjës 36-vjeçar i Institutit Kërkimor të Ministrisë Ruse të Mbrojtjes, për komplot në bashkëpunim me të tjerë midis majit dhe shtatorit 2017 për të ndërhyrë në sistemet e një rafinerie të huaj dhe prë të instaluar programin malinj të njohur si "Triton", në një sistem sigurie të prodhuar nga Schneider Electric SE.

Rafineria nuk përmendet me emër, por qeveria britanike tha se ishte në Arabinë Saudite dhe se më parë ishte identifikuar si kompleksi i rafinerisë Petro Rabigh në bregun e Detit të Kuq.

Në një aktakuzë të dytë, të gushtit 2021, Departamenti i Drejtësisë tha se tre hakerë të tjerë të dyshuar nga Shërbimi Federal i Sigurisë së Rusisë (FSB) kryen sulme kibernetike në rrjetet kompjuterike të firmave të naftës dhe gazit, termocentralet bërthamore dhe kompanitë e shërbimeve dhe transmetimit të energjisë elektrike ndërmjet vitit 2012 dhe 2017 - një fushatë që studiuesit ia atribuojnë prej kohësh një grupi të quajtur ndonjëherë " Energetic Bear " ose " Berserk Bear".

Ambasada ruse në Uashington nuk i ktheu menjëherë përgjigje një mesazhi ku kërkohej një koment.

Tre rusët e akuzuar në rastin e dytë janë Pavel Aleksandrovich Akulov, 36, Mikhail Mikhailovich Gavrilov, 42, dhe Marat Valeryevich Tyukov, 39. Asnjë nga katër të pandehurit nuk është arrestuar, tha një zyrtar amerikan.

Zyra e Jashtme e Britanisë tha se hakerët e FSB-së kishin vendosur në shënjestër sistemet që kontrollonin uzinën bërthamore Wolf Creek në Kansas "por nuk arritën të kishin ndonjë ndikim negativ".

“Synimi i Rusisë ndaj infrastrukturës kritike kombëtare është i mirëmenduar dhe i rrezikshëm”, tha në një deklaratë sekretarja e jashtme britanike Liz Truss. Ajo tha se kjo tregon se presidenti rus Vladimir Putin "është i përgatitur të rrezikojë jetë për të mbjellë ndasi dhe konfuzion mes aleatëve".

Një zyrtar i Departamentit të Drejtësisë u tha gazetarëve se edhe pse sulmi në fjalë në të dy rastet ndodhi vite më parë, hetuesit mbetën të shqetësuar se Rusia do të kryejë sulme të ngjashme në të ardhmen.

"Këto akuza tregojnë artin e errët të së mundshmes kur bëhet fjalë për infrastrukturën kritike", tha zyrtari.

Zyrtari shtoi se departamenti vendosi të zbardhë aktakuzat sepse ata përcaktuan se "përfitimi nga zbulimi i rezultateve të hetimit tani tejkalon gjasat e arrestimeve në të ardhmen."

Sulmi i rafinerisë saudite të vitit 2017 habiti komunitetin e sigurisë kibernetike kur u bë publik nga studiuesit më vonë atë vit. Ndryshe nga ndërhyrjet tipike dixhitale që synojnë vjedhjen e të dhënave ose mbajtjen e tyre peng për shpërblim, sulmi dukej se synonte të shkaktonte dëme fizike në vetë objektin duke çaktivizuar sistemin e tij të sigurisë. Zyrtarët amerikanë e kanë ndjekur rastin që nga ajo kohë.

Në vitin 2019, ata që qëndronin pas programit Triton u raportuan se po skanonin dhe hetonin të paktën 20 ndërmarrje elektrike në Shtetet e Bashkuara për pika të dobëta.

Dy javë përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 në Shtetet e Bashkuara, Departamenti amerikan i Thesarit vendosi sanksione ndaj Institutit Qendror të Kërkimeve Shkencore të Kimisë dhe Mekanikës, të mbështetur nga qeveria ruse. Prokurorët besojnë se zoti Gladkikh ka punuar atje. Të enjten, zyrtarët britanikë njoftuan gjithashtu sanksione ndaj këtij instituti.

Zyra e Jashtme tha se hakerët e FSB-së kishin vënë në objektiv kompanitë britanike të energjisë dhe kishin vjedhur me sukses të dhëna nga sektori i aviacionit amerikan. Ajo gjithashtu akuzoi hakerat se po përpiqeshin të komprometonin një punonjës të Mikhail Khodorkovskit, një ish-manjati i naftës që u bë kundërshtar i Kremlinit dhe tani jeton në Londër.