Rusia e gjeti veten të izoluar më tej në komunitetin ndërkombëtar të enjten, kur Asambleja e Përgjithshme e OKB-së votoi me shumicë dërrmuese në mbështetje të një rezolute që kërkonte që Moska të ndalte menjëherë luftën e saj kundër Ukrainës.
Me një votim 140 pro, pesë kundër dhe 38 abstenime, vendet anëtare mbështetën një dokument të paraqitur nga Ukraina, të përkrahur nga më shumë se 80 vende, që kërkon gjithashtu mbrojtjen e të gjithë civilëve dhe infrastrukturës civile, si dhe personelit humanitar dhe mjekësor, si dhe gazetarët.
"Së bashku, një shumicë e fortë e vendeve anëtare të OKB-së e bënë të qartë se Rusia - Rusia - mban përgjegjësinë e vetme për krizën e rëndë humanitare dhe dhunën në Ukrainë", u tha gazetarëve Ambasadorja amerikane Linda Thomas-Greenfield pas votimit. “Së bashku, ne kërkuam mbrojtjen e të gjithë civilëve që i largohen konfliktit dhe për hapa për të zbutur rritjen e pasigurisë ushqimore të shkaktuar nga kjo luftë e pakuptimtë. Dhe së bashku, ne riafirmuam Kartën e OKB-së”.
Votimi i së enjtes i ngjasoi përgjithësisht një votimi të 2 marsit, në të cilin 141 vende dënuan pushtimin e Rusisë dhe kërkuan që ajo të tërheqë menjëherë trupat e saj. Të njëjtat vende votuan kundër kësaj rezolute ashtu siç votuan edhe kundër masave humanitare: Rusia, Bjellorusia, Eritrea, Koreja e Veriut dhe Siria.
I dërguari i Rusisë akuzoi Perëndimin për "presion të paprecedentë" për të marrë mbështetje për rezolutën e tij.
Votimi u zhvillua pas më shumë se një dite debati ku e morën fjalën më shumë se 70 vende, shumica për të dënuar luftën e Rusisë dhe për të bërë thirrje për ndalimin e luftimeve, të cilat po shkaktojnë një krizë humanitare në Evropë, efektet e rënda të së cilës nuk janë parë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Shifrat janë marramendëse. Në vetëm një muaj, Kombet e Bashkuara thonë se 3.5 milionë njerëz janë larguar drejt vendeve fqinje dhe 6.5 milionë janë zhvendosur brenda Ukrainës.
Agjencia e OKB-së për Fëmijët, UNICEF, tha të enjten se më shumë se gjysma e popullsisë së fëmijëve të Ukrainës – 4.5 milionë djem dhe vajza – janë zhvendosur nga lufta.
Rreth 12 milionë njerëz në Ukrainë kanë nevojë për ndihma humanitare.
Shtetet e Bashkuara njoftuan të enjten se janë të gatshme të ofrojnë më shumë se 1 miliard dollarë fonde humanitare shtesë për Ukrainën, si dhe për pasojat e rënda në mbarë botën në rritjen e pasigurisë ushqimore që rezulton nga ndërprerja e eksporteve kryesore të grurit të Ukrainës.
Shfaqje diplomatike
Votimi i së enjtes nuk u zhvillua pa shfaqje diplomatike.
Këtë javë, Afrika e Jugut paraqiti një projekt-rezolutë të dytë humanitare. Por për shumë shtete, aty mungonte diçka e madhe - shkaku i krizës humanitare, përkatësisht sulmi i Rusisë. Siç tha ambasadori i Kanadasë, Bob Rae, "me fjalë të thjeshta, nuk mund të flasim për Moby Dick-un pa përmendur se është balenë".
Ambasadori i Ukrainës tha se propozimi i Afrikës së Jugut ishte "vëllai binjak" i një projekt-rezolute që Rusia paraqiti për votim në Këshillin e Sigurimit të OKB-së të mërkurën, e cila u rrëzua me 13 abstenime. Nga 15 vendet anëtare, e mbështetën vetëm Rusia dhe Kina. Ambasadori i Ukrainës në OKB, Sergiy Kyslytsya, tha se Ukraina nuk ishte konsultuar për tekstin e Afrikës së Jugut, dhe as vendet e tjera.
“Është një tekst i mbështetur në mënyrë të njëanshme nga një vend, i nxitur nga një vend tjetër, që as nuk është kujdesur ta fshehë këtë”, tha Ambasadori Kyslytsya, duke aluduar për Afrikën e Jugut dhe Rusinë.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken foli me telefon me homologun e tij afrikano-jugor një ditë para votimit për të nënvizuar “pikëpamjet e Shteteve të Bashkuara mbi nevojën për një përgjigje të qartë dhe të unifikuar ndërkombëtare ndaj pushtimit të Presidentit Putin për t'i dhënë fund të shpejtë kësaj krize", tha zëdhënësi i Sekretarit Blinken.
"Çështjet politike që mund të çojnë në mospajtimin e shteteve anëtare për një dokument duhet të trajtohen diku tjetër", i tha asamblesë Ambasadorja e Afrikës së Jugut, Mathu Joyini. "Ne besojmë se një rezolutë e paanshme humanitare duhet të fokusohet thjesht në trajtimin e nevojave humanitare të atyre që janë prekur".
Projekt-rezoluta kishte shtatë bashkë-sponsorizues, përfshirë Kinën. Por nuk iu paraqit për votim vendeve anëtare, pasi Ukraina kërkoi një votim procedural. Vendet anëtare votuan 67-50, me 36 abstenime, për të mos e çuar në votim propozimin e Afrikës së Jugut.
Rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme nuk kanë peshë ligjore, por ato mbartin peshën morale të komunitetit ndërkombëtar dhe Moskës iu dërgua një mesazh i qartë për veprimet e saj në rezolutën që u miratua.
Por siç theksoi e dërguara e Libanit, mbetet ende e paqartë nëse puna e asamblesë do të kishte një ndikim pozitiv në terren.
"Tani çfarë? Nga do shkojmë që këtu? A do të zbatohet kjo rezolutë?” pyeti kolegët e saj Ambasadorja e Libanit, Amal Mudallali. “A është më e rëndësishme të shënosh suksese në votim sesa të bësh përparim të vërtetë në terren, duke ndihmuar në çtraumatizimin e fëmijëve dhe grave që kërkojnë nga ne ta ndalojmë këtë luftë? Sa më të sigurtë janë civilët në Ukrainë për shkak të kësaj rezolute sot? Sa më pranë zgjidhjes jemi? Sa më pranë paqes jemi sot?”.