Do të ketë një reagim ushtarak nga Perëndimi nëse Rusia përdor armë kimike në Ukrainë, u shpreh të enjten Presidenti Joe Biden.
"Do të merrte reagimin e duhur", tha Presidenti Biden duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari gjatë konferencës për shtyp. "Nëse po pyesni nëse NATO do të kalonte (kufirin e Ukrainës për t'u përballur me forcat ruse), atë vendim do ta marrim në atë moment".
Presidenti amerikan tha gjithashtu në shtabin e NATO-s se Rusia duhet të përjashtohet nga Grupi i 20-të ekonomive më të mëdha dhe se Ukrainës i duhet mundësuar që t'i ndjekë takimet e G-20ës.
Presidenti Biden konfirmoi se çështja u ngrit gjatë takimeve të tij me udhëheqës të tjerë botërorë të enjten ndërsa plotësohej një muaj nga sulmi i Rusisë në Ukrainë.
I pyetur nëse Ukrainës do t'i duhet të lëshojë territor për të arritur një armëpushim me Rusinë, Presidenti Biden u përgjigj se "nuk besoj se do t'iu duhet ta bëjnë këtë gjë", por se kjo mbetet në gjykimin e Kievit.
Gjatë konferencës së tij për shtyp, Presidenti Biden tha se Shtetet e Bashkuara po angazhojnë rreth 1 miliard dollarë në asistencë humanitare "për të ndihmuar miliona ukrainas të ndikuar nga lufta në Ukrainë".
"Me fokusin tek ribashkimi i familjeve", Shtetet e Bashkuara do të mirëpresin 100 mijë ukrainas dhe do të investojnë 320 milionë dollarë për të mbështetur demokracinë dhe për të mbrojtur të drejtat e njeriut në Ukrainë dhe në vendet fqinje, tha presidenti amerikan.
NATO njoftoi më herët të enjten se aleanca do të rrisë kapacitetet e saj mbrojtëse, pasi Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy i kishte bërë thirrje udhëheqësve të aleancës që të ofrojnë më shumë armë për vendin e tij "pa kufizime, ndërsa sulmi i Rusisë në Ukrainë po hyn në muajin e dytë".
Thirrja e zotit Zelenskyy erdhi pasi Presidenti Biden u takua me udhëheqësit e NATO-s për të diskutuar përgjigjen e tyre afatshkurtër dhe afatgjatë ndaj pushtimit rus.
Duke iu drejtuar samitit nëpërmjet një lidhjeje videofonike, zoti Zelenskyy tha se ushtria e tij kishte nevojë për avionë luftarakë, tanke dhe sisteme të përmirësuara të mbrojtjes ajrore dhe detare, pasi ai paralajmëroi se Rusia do të sulmonte Poloninë, vend anëtar i NATO-s, si dhe vende të tjera të Evropës Lindore.
"Rusia nuk ka ndërmend të ndalet në Ukrainë," tha ai. "Ajo dëshiron të shkojë më tej. Kundra anëtarëve lindorë të NATO-s. Shtetet baltike. Polonisë, me siguri".
Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë të qarkulluar të enjten thuhej se "nga tani dhe deri në samitin e NATO-s në qershor, ne do të përgatisim plane për forca dhe kapacitete shtesë për të forcuar mbrojtjen e NATO-s".
Një zyrtar i administratës së Presidentit Biden u tha gazetarëve se zoti Zelenskyy nuk e përsëriti të enjten kërkesën e tij për një zonë ndalim-fluturimi, të cilën NATO e hodhi poshtë më parë me arsyetimin se do të çonte në konflikt të drejtpërdrejtë midis NATO-s dhe Rusisë.
Vendet anëtare të NATO-s thanë në një deklaratë të përbashkët pas samitit se ata do të "përshpejtonin" angazhimin e tyre për të investuar të paktën 2% të buxheteve të tyre kombëtare për mbrojtjen, duke mundësuar një fuqizim të konsiderueshëm të "pozitave afatgjata për të parandaluar dhe për t'u mbrojtur" nga kërcënimet.
Aleanca u zotua gjithashtu të "zhvillojë më tej gamën e plotë të forcave dhe aftësive të gatshme të nevojshme për të ruajtur aftësitë e besueshme parandaluese dhe mbrojtëse".
Përveç pjesëmarrjes në bisedimet e NATO-s, Presidenti Biden u takua të enjten me krerët e G-7ës dhe të Këshillit Evropian.
Shtëpia e Bardhë njoftoi të enjten një raund të ri sanksionesh ndaj 48 kompanive shtetërore ruse të mbrojtjes dhe më shumë se 400 personalitete politike ruse, oligarkë dhe subjekte të tjera – një veprim që Presidenti Biden tha se po bëhej në koordinim me Bashkimin Evropian.
Britania tha të enjten se paketa e re e saj e sanksioneve përfshin ngrirjen e aseteve të Gazprombank, që shërben si një kanal kryesor për pagesat e naftës dhe gazit, si dhe të bankës Alfa Bank, një huadhënës kryesor privat në Rusi. Manjati i naftës Evgeny Shvidler, drejtor ekzekutiv i Sberbank, Herman Gref dhe Polina Kovaleva, mbesa e ministrit të Jashtëm rus Sergej Lavrov, janë mes individëve të sanksionuar.
Kina ka kritikuar sanksionet e vendosura ndaj Rusisë dhe është paralajmëruar nga Presidenti Biden që të mos ndihmojë Rusinë t'iu shmanget këtyre masave.
I pyetur në lidhje me bisedën e tij të fundit telefonike mbi këtë temë me Presidentin kinez Xi Jinping, Presidenti Biden tha se ia kishte bërë të qartë zotit Xi "pasojat e ndihmës së tij ndaj Rusisë", por, ai vuri në dukje se, "nuk bëri asnjë kërcënim".
Presidenti amerikan shkon në Poloni të premten, një vizitë që do të vërë në qendër të vëmendjes edhe miliona ukrainas që janë bërë refugjatë që nga fillimi i luftës nga Rusia.
"Kam në plan të përpiqem t'i shoh këta njerëz", u tha Presidenti Biden gazetarëve mes spekulimeve se ai mund të shkojë në kufirin e Polonisë me Ukrainën. "Unë mendoj se nuk duhet të them se ku po shkoj, apo jo?".
* Disa nga të dhënat për këtë artikull u morën nga agjensitë e lajmeve Associated Press, Agence France-Presse dhe Reuters.