Udhëheqësit e NATO-s takohen në Bruksel, Ukraina kërkon më shumë ndihmë

NATO Summit Opens On Ukraine

Udhëheqësit e NATO-s po takohen të enjten në Bruksel për të diskutuar rreth përgjigjes së tyre afatshkurtër dhe afatgjatë ndaj sulmit rus në Ukrainë. Ata pritet të dëgjojnë një thirrje të drejtpërdrejtë nga Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy për më shumë ndihmë për vendin e tij.

Përpara takimit, zoti Zelenskyy nëpërmjet një video-mesazhi u kërkoi anëtarëve të NATO-s mbështetje "efektive dhe të pakufizuar", përfshirë armë për forcat ukrainase. Zoti Zelenskyy u bëri thirrje gjithashtu njerëzve në mbarë botën të mbajnë protesta publike kundër sulmit rus.

Përveç bisedimeve në kuadër të takimit të nivelit të lartë të NATO-s, Presidenti amerikan Joe Biden do të takohet të enjten me udhëheqësit e G-7 dhe Këshillin Evropian. Këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare Jake Sullivan tha se qëllimi i përgjithshëm është të nënvizohet se vendosmëria dhe uniteti që është vënë re muajin e kaluar do të zgjasë për aq kohë sa do të jetë e nevojshme.

Zoti Biden pritet të shpallë një raund të ri sanksionesh që synojnë figura politike ruse, oligarkë dhe entitete të tjera.

Britania tha të enjten se paketa e saj e re e sanksioneve përfshin ngrirjen e pasurive të Gazprombank, një institucion financiar që shërben si kanal kryesor për pagesat e naftës dhe gazit, si dhe të Alfa Bank, një institucion kryesor privat në Rusi. Manjati i naftës Evgeny Shvidler, shefi ekzekutiv i Sberbank German Gref dhe Polina Kovaleva, vazja e ministrit të Jashtëm Sergei Lavrov janë në listën e personave ndaj të cilëve do të vendosen sansione.