Kremlini tha të mërkuren se i dërguari i presidentit Vladimir Putin për marrëdhëniet me organizatat ndërkombëtare ka dhënë dorëheqjen.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov u citua nga agjencia e lajmeve Interfax të ketë thënë se Anatoli Chubais ka dhënë dorëheqjen.
Zoti Peskov nuk pranoi të thoshte nëse zoti Chubais është larguar nga vendi, duke thënë se kjo është çështje e tij private.
Anatoly Chubais, arkitekti i fushatës së privatizimit post-sovjetik të Rusisë, ka shërbyer në një sërë postesh të larta zyrtare gjatë tre dekadave të fundit.
Në postin e tij të fundit ai pati kontakte të shumta me organizatat ndërkombëtare për të avancuar qëllimet e Moskës për arritjen e një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik. Pjesë e punës së tij ishte mbajtja e kontakteve me një numër të madh zyrtarësh të lartë perëndimorë.
Pasi Rusia filloi muajin e kaluar sulmin në Ukrainë, zoti Chubais postoi një fotografi të Boris Nemtsovit, një figurë e rëndësishme e opozitës ruse që u qëllua për vdekje pranë Kremlinit në vitin 2015. Ndonëse ishte pa mbishkrim, ajo u pa si një deklaratë e fuqishme nga një burim i brendshëm i Moskës.
Dorëheqja e zotit Chubais duket se pasqyron përçarjet në rritje midis zyrtarëve të lartë rusë rreth ndërhyrjes ushtarake në Ukrainë.