Presidenti Joe Biden po u bënë thirrje kompanive amerikane që të rrisin sigurinë e tyre dixhitale për shkak se “informacionet e zbulimit” sugjerojnë se Rusia po shqyrton mundësinë e fillimit të sulmeve kibernetike kundër objektivave të infrastrukturës kritike ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon.
Në një takim me drejtuesit e korporatave, i cili mbahet një here në tre muaj, presidenti Biden u tha udhëheqësve të biznesit se ata kanë një "detyrim patriotik" për të forcuar sistemet e tyre kundër sulmeve të tilla. Ai tha se ndihma federale është në dispozicion të tyre, nëse ata e duan atë, por se vendimin për rritjen e sigurisë së sistemeve kompjuterike duhet ta marrin vetë kompanitë.
Presidenti Biden tha se administrata ka lëshuar “paralajmërime të reja se, bazuar në informacionet e agjencive të zbulimit, Rusia mund të planifikojë një sulm kibernetik kundër nesh. Fuqia e kapacitetit kibernetik të Rusisë është mjaft e madhe dhe vazhdon të rritet."
Këshilltarja e Presidentit Bidenit për sigurinë kibernetike, Anne Neuberger, shprehu zhgënjimin në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë të hënën se disa entitete të infrastrukturës kritike kanë injoruar alarmet nga agjencitë federale për të rregulluar problemet e njohura në programet kompjuterike që mund të shfrytëzohen nga hakerët rusë.
“Pavarësisht nga këto paralajmërime të përsëritura, ne vazhdojmë të shohim kundërshtarë që kompromentojnë sisteme që përdorin dobësi të njohura për të cilat ka riparime”, tha Neuberger, zëvendës këshilltare e presidentit Biden për sigurinë kombëtare për çështjet e kibernetikës dhe teknologjive në zhvillim. "Kjo e bën shumë më të lehtë punën e hakërëve", tha ajo.
Qeveria federale ka lëshuar paralajmërime për kompanitë amerikane mbi kërcënimet e paraqitura nga hakerët shtetërorë rusë shumë kohë përpara se Rusia të fillonte sulmin ndaj Ukrainës. Agjencia e Sigurisë Kibernetike dhe Sigurisë së Infrastrukturës ka nisur fushatën "Mburoja lart" që synon të ndihmojë kompanitë të forcojnë mbrojtjen e tyre dhe u ka kërkuar kompanive të mbështesin të dhënat e tyre, të aktivizojnë vërtetimin e identitetit të punonjësve në sistemet kompjuterike me shumë hapa dhe të ndërmarrin masa të tjera për të përmirësuar sigurinë e tyre kibernetike.
Zonja Neuberger tha se nuk kishte asnjë informacion zbulimi që sugjeron një sulm të veçantë kibernetik rus kundër objektivave të Shteteve të Bashkuara, por ajo shtoi se ka patur rritje të "aktivitetit përgatitor", si skanimi i faqeve të internetit dhe përpjekjet për të gjetur dobësi në sisteme, që është një punë e zakonshme për hakerët shtetërorë.
Në një deklaratë, Presidenti Biden tha se Rusia mund të nis një sulm kibernetik kundër objektivave amerikane si hakmarrje për "vendosjen e sanksioneve që i kanë shkaktuar pasoja ekonomike të jashtëzakonshme" Moskës.
"Kjo është pjesë e strategjisë së Rusisë", tha preisdenti Biden.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre kanë vendosur një sërë sanksionesh që synojnë të gjunjëzojnë ekonominë ruse dhe presidenti Biden njoftoi së fundmi se Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë më shumë armë kundërajrore, pajisje ushtarake dhe dronë për të ndihmuar Ukrainën.