Fillon procesi për konfirmimin e kandidates për Gjykatën e Lartë, Ketanji Brown Jackson

Ketanji Brown Jackson

Komisioni Juridik i Senatit amerikan filloi të hënën seancën dëgjimore për konfirmimin e kandidates Ketanji Brown Jackson në Gjykatën e Lartë. Demokratët shprehën mbështetje për kandidaten e Presidentit Joe Biden për t'u bërë gruaja e parë me ngjyrë në Gjykatën e Lartë të Shteteve të Bashkuara, ndërsa republikanët u zotuan të përmbahen nga sulmet personale, por premtuan të ngrenë pyetje të vështira lidhur me punën e saj në sistemin e drejtësisë.

Gjatë deklaratave hapëse në seancën dëgjimore të Komisionit Juridik të Senatit, demokratët përshëndetën natyrën historike të përzgjedhjes dhe vlerësuan punën e saj të mëparshme si gjykatëse federale e apelit dhe gjykatëse distrikti.

Nga ana tjetër, republikanët ngritën pikëpyetje lidhur me të dhënat e punës së saj dhe u përpoqën të krijojnë një lidhje mes saj dhe grupeve që mbështesin ide majtiste. Ata lanë të kuptohet se do të përpiqen ta pasqyrojnë veprimtarinë e zonjës Jackson në gjykatë si “të butë ndaj krimit”.

Në vitin 2020 gjatë fushatës për në Shtëpinë e Bardhë, zoti Biden u zotua se do të emëronte një grua me ngjyrë në gjykatë. Në muajin prill Presidenti Biden emëroi 51-vjeçaren Jackson, për një detyrë të përjetshme në organin më të lartë gjyqësor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të pasuar gjyqtarin liberal në pension, Stephen Breyer, duke krijuar një betejë konfirmimi në Senatin e ndarë polikisht pothuajse në mes.

Nëse konfirmohet, ajo do të bëhej gjykatësja e 116-të që do të shërbente në Gjykatën e Lartë.

"Asnjë gjykatëse nuk ka qenë afrikano-amerikane. Ju, gjykatëse Jackson, mund të bëheni e para," tha Senatori demokrat Dick Durbin, i cili drejton komisionin.