Presidenti Joe Biden bisedoi me udhëheqësin kinez Xi Jinping për gati dy orë të premten. Ai i tha presidentit kinez se Shtetet e Bashkuara duan që Presidenti rus Vladimir Putin t’i japë fund luftës që ka nisur në Ukrainë. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Cindy Saine, mediat shtetërore kineze thanë se zoti Xi i tha Presidentit Biden se Pekini nuk dëshiron kriza apo konflikt.
Your browser doesn’t support HTML5
Ndërsa Rusia po zgjeronte fushatën e saj të bombardimeve ajrore të premten drejt qytetit Lviv në perëndim të Ukrainës, Presidenti Joe Biden pati një bisedë videofonike me Presidentin kinez Xi Jinping të përqëndruar tek lufta brutale, viktimat në radhët e civilëve dhe vuajtjet e shkaktuara.
Shtëpia e Bardhë thotë se Presidenti Biden bëri një panoramë të unitetit të Perëndimit për sanksionet e ashpra të vendosura ndaj Presidentit rus Vladimir Putin dhe përshkroi pasojat me të cilat do të përballej Kina nëse mbështet bombardimin nga Rusia të qyteteve ukrainase.
Mediat shtetërore kineze thanë se zoti Xi “nuk dëshiron ta shohë situatën në Ukrainë të arrijë në këtë pikë”. Një ekspert i tha Zërit të Amerikës se duke i kërkuar ndihmë për të vazhduar luftën, zoti Putin e ka vendosur zotin Xi në një pozitë të vështirë.
“Kina do të dëshironte shumë që të fashitej kjo luftë, ose të paktën ky konflikt... Pra fakti që Presidenti Biden dhe Presidenti Xi folën për gati dy orë, sugjeron se kjo ishte një bisedë shumë e angazhuar, shumë intensive”, thotë Andrew Scobell, nga Instituti Amerikan i Paqes.
Ai i tha Zërit të Amerikës se lufta në Ukrainë është testi i parë i vërtetë i natyrës së marrëdhënies reale mes Rusisë dhe Kinës, nën drejtimin e Vladimir Putinit dhe Xi Jinpingut.
Të enjten, Sekretari i Shtetit Antony Blinken shprehu shqetësimin për një mbështetje të Kinës për luftën.
“Ne besojmë se Kina, në veçanti, ka përgjegjësinë që ta përdorë influencën që ka me Presidentin Putin për të mbrojtur rregullat dhe parimet ndërkombëtare të cilat thotë se mbron. Por duket se Kina po lëviz në drejtimin e kundërt, duke refuzuar ta dënojë këtë agresion dhe duke u përpjekur të paraqesë veten si një arbitër neutral. Jemi të shqetësuar që po shqyrtojnë mundësinë që ta ndihmojnë Rusinë me materiale ushtarake që do të përdoren në Ukrainë”, tha Sekretari i Shtetit Antony Blinken.
Të hënën, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Jake Sullivan dhe Yang Jiechi, kryediplomati i Partisë Komuniste Kineze, patën gjithashtu bisedime në Romë për Ukrainën.
Ekspertët i thonë Zërit të Amerikës se zoti Putin është goditur ashpër nga sanksionet ndërkombëtare dhe se do t’i duhen fonde të konsiderueshme nga Kina për të mbështetur luftën e tij të kushtueshme në Ukrainë.
“Rusia dhe Putini kanë nevojë për shumë para, jo për një shumë të vogël, por për shumë para. Dhe sasinë që iu nevojitet nuk mendoj se do të dojë t’ua japë Kina, nëse nuk merr diçka të madhe në këmbim. Dhe Putini nuk do t’ia lërë peng gjithë vendin e tij Kinës për këtë”, thotë Bill Browder, nga Fushata “Magnitsky” për Drejtësinë Globale.
Bisedimet e pezulluara bërthamore me Iranin janë një tjetër çështje delikate ku përfshihen Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Kina, plus sigurisht Irani, si dhe Britania, Franca dhe Gjermania.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, tha se ai beson që palët janë pranë arritjes së një marrëveshjeje, por se Rusisë nuk do t’i lejohet ta përdorë këtë marrëveshje për t’i shpëtuar sanksioneve për Ukrainën.
“Mendoj se dy gjëra qëndrojnë. Së pari, marrëveshja nuk do të shërbejë si një mjet për ta shpëtuar Federatën Ruse nga sanksionet që i janë vendosur për shkak të luftës në Ukrainë. Së dyti, ne nuk do t’i vendosim sanksione Rusisë për pjesëmarrje në projekte bërthamore që janë pjesë e kësaj marrëveshjeje”, tha zoti Price.
Irani tha se Rusia nuk do të jetë pengesë për arritjen e një marrëveshjeje në bisedimet në Vjenë, duke shtuar se bisedimet nuk janë të ndërlidhura me zhvillimet në Ukrainë.