Universiteti Bujqësor i Tiranës çel program master për studentët afganë

Universiteti Bujqësor i Tiranës nënshkroi sot një marrëveshje me Universitetin Shtetëror të Michiganit për të bashkëpunuar në kërkime shkencore dhe rritjen e cilësisë së studimeve.

Your browser doesn’t support HTML5

Universiteti Bujqësor i Tiranës çel program master për studentët afganë

Pjesë e këtij bashkëpunimi është edhe përfshirja në auditore e studentëve afganë të bujqësisë, që ndërprenë studimet nga trazirat në Kabul dhe u strehuan në Shqipëri.

Marrëveshja mes Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe Universitetit Shtetëror të Miçiganit parashikon veprimtari të përbashkëta si shkëmbime studentësh dhe pedagogësh, kërkime shkencore dhe konferenca të përbashkëta.

Por pjesa më e veçantë e këtij bashkëpunimi është që studentët afganë të Universitetit të Kabulit do të vazhdojnë studimet në Universitetin Bujqësor të Tiranës.

Rektori Fatbardh Sallaku tha se ministria e arsimit miratoi hapjen e një programi master enkas për ta, që të thellojnë studimin dhe kërkimin shkencor.

“Sot këta studentë afganë janë të pajisur me numrin e matrikulimit të Universitetit Bujqësor të Tiranës. Universiteti ynë do të jetë pjesë e CV-së së tyre për gjithë jetën. Që të gjithë modulet dhe detyrimet e mbetura ne do të bëjmë çmos për t’i zhvilluar online me qëllim diplomimin e tyre në korrik dhe gusht” - thotë zoti Sallaku.

Përfaqësuesi i Universitetit të Miçiganit, Kurt Richter tha se ai dhe kolegët amerikanë u përpoqën dy javë derisa nxorën studentët afganë nga aeroporti i Kabulit në mes të trazirave me interesimin e përfaqësueses Elissa Slotkin derisa erdhën në Shqipëri për t’u strehuar në Shëngjin, dhe do të jenë së shpejti emigrantë në SHBA.

“Gjatë atyre ditëve nuk e dinim se ku do të shkonim, derisa përfaqësuesja Slotkin bisedoi me ambasadoren Kim. Kryeministri Edi Rama ia hapi dyert e Shqipërisë grupit tonë. U bashkuan edhe shumë njerëz të mirë nga USAID dhe nga Spirit of America për të patur sukses në këtë mission të vështirë” - tha zoti Richter.

Synimi i UBT është që studentët afganë të përfshirë në këtë vit akademik të diplomohen me master, duke plotësuar të gjithë detyrimet universitare të mbetura përgjysmë nga trazirat në vendin e tyre.

Ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri Yuri Kim, tha se mikpritja shqiptare për qytetarët afganët pas shpërthimit të dhunës në të gjithë Afganistanin është admiruar nga gjithë bota.

“Sot jemi këtu për t’u siguruar se ata që erdhën nga Afganistani do të vazhdojnë studimet e tyre në SHBA njëlloj si i vazhduan në Tiranë. Po ashtu do të sigurohemi që studiuesit në Shqipëri dhe në Amerikë të punojnë së bashku” - tha ambasadorja Kim.

Marrëveshja mes dy universiteteve u projektua disa muaj më parë gjatë një vizite të kryeministrit Rama në Universitetin Shtetëror të Miçiganit.

Ajo nisi si një mënyrë për të ndihmuar studentët afganë dhe u shndërrua në një platformë të gjerë bashkëpunimi shkencor.

“Është themelore që ne së bashku t’i japim këtij universiteti maksimumin e mundshëm për të përshpejtuar adoptimin e Universitetit Bujqësor me kohën si dhe modernizimin e tij, duke shfrytëzuar sa më mirë burimet njerëzore të vet universitetit” - tha zoti Rama.

Studentët dhe studiuesit afganë të agronomisë janë pjesë e grupit prej 118 personash, që nxori nga Kabuli për t’i shpëtuar nga dhuna e talebanëve në fund të gushtit të kaluar Anëtarja e Kongresit amerikan, përfaqësuesja Elissa Slotkin, pjesa më e madhe të cilëve u strehuan në Shqipëri, ku gjetën siguri dhe mbrojtje.