Zyrtarët ukrainas dhe rusë thonë se kanë bërë përparim në negociatat drejt një armëpushimi në luftën 3-javore. Ekspertët vërejnë një ndryshim në kërkesat e Rusisë pasi lufta ka vazhduar shumë më gjatë se sa ishte planifikuar. Por Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken thotë se nuk sheh asnjë provë që Rusia të jetë serioze për rrugën e diplomacisë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Cindy Saine njofton.
Your browser doesn’t support HTML5
Ndërsa Rusia vazhdon të bombardojë objektivat civile në Ukrainë, zyrtarë rusë dhe ukrainas vazhdojnë bisedimet në përpjekje për të arritur një marrëveshje armëpushimi. I pyetur për vlerësimin e tij për bisedimet, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u përgjigj:
"Më duhet të them nga njëra anë, ne përgëzojmë Ukrainën që është në tryezë, pavarësisht se është nën bombardime çdo minutë. Në të njëjtën kohë, nuk kam parë ndonjë përpjekje domethënëse nga Rusia për ta sjellë këtë luftë, që ajo vetë filloi, drejt fundit përmes diplomacisë”.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, parashtroi përparësitë e tij për bisedimet në një video të publikuar të enjten.
"Negociatat janë duke vazhduar, për hir të Ukrainës. Përparësitë e mia në negociata janë absolutisht të qarta: fundi i luftës, garancitë e sigurisë, sovraniteti, rivendosja e integritetit territorial".
Presidenti Zelenskyy tha se deri më tani, Moska ka pësuar humbje më të rënda në fushën e betejës sesa në fushatat e mëparshme në Siri dhe Çeçeni - apo edhe në Afganistan, gjatë epokën sovjetike. Ekspertët i thanë Zërit të Amerikës se presidenti rus Vladimir Putin ka të ngjarë të jetë befasuar nga rezistenca e ashpër në Ukrainë dhe se problemet e Rusisë për të avancuar në Kiev kanë çuar në një ndryshim të dukshëm në pozicionin e saj negociues.
“Është interesante që rusët kanë kaluar nga kërkesa për çmilitarizimin e Ukrainës në kërkesën për forca të kufizuara ushtarake, që është një lëshim i madh. Ata duket se e kanë braktisur krejtësisht idenë e tyre për ndryshimin e regjimit në Kiev. Kjo mund të interpretohet sikur rusët janë duke thënë me dëshpërim: 'Kjo është ajo që ne do të donim të arrinim tani. A mund ta realizojmë këtë?' Dhe përgjigja është jo", thotë Anders Aslund me Forumin “Stockholm Free World”.
Ekspertë të tjerë paralajmërojnë se nuk ka asnjë provë që vetë Putini është serioz në lidhje me negociatat me Ukrainën.
“Mendoj se kemi parë një ndryshim në disa nga retorikat zyrtare ruse, kur flasin për shembull për një opsion austriak, ose suedez për Ukrainën, që do të nënkuptonte një lloj Ukraine që është neutrale, por që ka ende lidhje me Perëndimin. dhe nuk është disi e nënshtruar ndaj Rusisë. Në të njëjtën kohë, mendoj se po shohim Rusinë të vazhdojë të përshkallëzojë luftën dhe të bëhet edhe më agresive në Ukrainë për sa i përket taktikave të saj ushtarake atje” thotë Erik Brattberg, me grupin “Albright Stonebridge”.
Putini mund të jetë aq i izoluar saqë të mos jetë i vetëdijshëm për realitetin në terren, i tha Zërit të Amerikës ish-ambasadori amerikan në Ukrainë, William Taylor.
“Presidenti Putin mund ta dijë ose jo se nisma e tij, operacioni i tij ushtarak, lufta e tij ka ngecur. Ai mund të mos e dijë se ushtrisë ruse po i mbarojnë ushqimet, karburantet dhe ushtarët. Ai mund të mos e dijë këtë dhe derisa ta mësojë, nuk do të jetë serioz për negociatat”.
Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov komentoi për bisedimet e mundshme midis presidentëve Zelensky dhe Putin.
“Nuk ka asnjë pengesë për organizimin e një takimi me mirëkuptimin se nuk do të jetë një takim për hir të takimit, por një kontakt mes presidentëve që do të konsolidojë marrëveshjet e arritura, të cilat tani janë duke u përpunuar përmes dy delegacioneve. Ata janë takuar tre herë në Bjellorusi. Tani janë duke punuar përmes videokonferencës", tha zoti Lavrov.
Tani për tani, ndërsa bisedimet vazhdojnë, funeralet janë bërë një dukuri e përditshme në Ukrainë, si ky në qytetin Lviv, ku banorët varrosën të dashurit e tyre, ushtarë të vrarë në luftë.