Ndërsa miliona amerikanë po kërkojnë të blejnë një automjet të ri duket se tregu i makinave po ndeshet me mjaft probleme. Sipas ekspertëve, kërkesa tejkalon ofertën dhe mungesa e gjysmëpërçuesve në treg ka penguar shumë fabrika të hedhin në treg automjete të reja. Gazetari i Zërit të Amerikës, Kane Farabaugh raporton nga Çikago.
Your browser doesn’t support HTML5
Pas fillimit të pandemisë, të bërit biznes si zakonisht ndryshoi për punëtorët si Chris Pena, në një prej fabrikave të Fordit në afërsi të Çikagos.
“Marrja e pjesëve nga e gjithë SHBA-ja dhe i gjithë globi ka qenë vërtet sfiduese këto dy vitet e fundit. Në fabrikën e Çikagos ne mund të prodhojmë mijëra makina në ditë, por tani prodhimi është ngadalësuar dhe këtë javë ne jemi në pushim të përkohshëm”, thotë ai.
Kjo fabrikë është e fundit që ka ndërprerë punën, pasi kompania e automjeteve “Ford” dhe prodhues të tjerë, po ndeshen me vështirësi për të plotësuar kërkesat në rritje për automjete të reja.
Ndërkohë ka një mungesës globale për gjysmëpërçuesit, të cilët kontrollojnë sistemet elektronike në shumicën e automjeteve.
“Nuk është vetëm një mikroprocesor, këto makina kanë mikroprocesorë të shumtë në mënyrë që të funksionojnë pjesë të ndryshme”, thotë Chris Pena.
John Dallesasse është profesor i inxhinierisë elektrike në Universitetin e Illinoit. Ai thotë se prodhuesit e automjeteve reaguan jo në mënyrën e duhur ndaj masave izoluese të vendosura për pandeminë.
Sipas tij prodhuesit e automjeteve porositën më pak mikroprocesorë, duke parashikuar gabimisht se do të binin kërkesat për automjete të reja.
“Unë mendoj se ata prisnin që kërkesat të ishin të pakta. Kështu ata reduktuan blerjet e tyre tek furnizuesit e gjysmëpërçuesve. Prodhuesit e mikroprocesorëve nga ana e tyre iu drejtuan tregjeve në vende të tjera, por kur kërkesa këtu po rritej, prodhesit e automjeteve nuk arritën të siguronin mikroprocesorë në kohë”, thotë ai.
Sipas ekspertit mungesa e prodhimit vendas të këtyre mikroprocesorëve po i përkeqëson gjërat.
“Unë mendoj se në vitin 1990, SHBA kishte 37% të kapacitetit global të prodhimit të gjysmëpërçuesve. Sot është ulur në 12%. Shumë prej tyre kanë shkuar jashtë vendit, veçanërisht në Azi.”
Pavarësisht mungesës së këtyre gjysmëpërçuesve, automjetet si “Ford Explorer” vazhdojnë të dalin nga linja e montimit në Çikago.
Por për të shkuar tek klienti, duhet të presin deri sa punonjësit e tjerë të instalojnë mirkoprocesorët, kur të jenë gati.
“Prodhimi vazhdon akoma edhe nëse nuk mund të kemi mikroprocesorët. Ne do të përpiqemi të ndërtojmë pjesën më të madhe të makinës që mundemi dhe më pas të presim”, thotë Chris Pena.
Ndërsa punonjësit e kompanive të prodhimit të automjeteve presin me dhjetëra mijëra gjysmëpërçues për të përfunduar punën e tyre dhe për të hedhur në treg automjetet e reja, amerikanët që kërkojnë të blejnë automjete të përdorura po paguajnë mesatarisht 40 për qind më shumë se sa një vit më parë.
Sipas autoriteteve amerikane edhe çmimet e automjeteve të reja gjithashtu janë rritur me 12 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë.