Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy bëri sot (e mërkurë) thirrje për më shumë ndihma për vendin e tij, gjatë një fjalimi përpara Kongresit amerikan. Ai ripërsëriti kërkesën për krijimin e një zone të ndalim-fluturimit mbi Ukrainë dhe për avionë luftakë, kërkesa këto që Uashingtoni i sheh si të pamunduara për t’u realizuar, pasi mund të rrezikonin në një përshkallëzim të konfliktit me Rusinë. Ndërkohë sot Presidenti Biden pritet të njoftojë një ndihmë shtesë për Ukrainën në fushën e sigurisë prej 800 milionë dollarësh.
Your browser doesn’t support HTML5
Në një fjalim të pazakontë përpara Kongresit amerikan, ndërsa qytetet në të gjithë Ukrainën vazhdojnë të jenë nën breshërinë e artilerive ruse, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy iu drejtua ligjvënësve amerikanë më një thirrje për më shumë ndihmë. Zoti Zelenskyy u kujtoi ligjvënësve ngjarjet me të cilat janë përballur Shtetet e Bashkuara, sikurse sulmet ajrore në Pearl Harbor, gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe ato terroriste të 11 shtatorit 2001, për t’i bërë jehonë kërkesës së tij kryesore drejtuar Uashingtonit, mbylljen e qiellit mbi Ukrainë, sikurse tha ai.
“Ne kemi nevojë për ju tani! Kujtoni Pearl Harbor, mëngjesin e tmerrshëm të dhjetorit 1941, kur qielli juaj u bë i zi nga avionët që ju sulmonin. Kujtoni shtatorin 2001, kur e keqja u përpoq t’i kthejë qytetet tuaja në fushëbeteje. Kur njerëz të pafajshëm u sulmuan nga ajri. Rusia e ka kthyer qiellin e Ukrainës në burim vdekjeje për mijëra njerëz. Ky është një terror që Europa nuk e ka parë prej 80 vitesh dhe ne u kërkojmë për të një përgjigje nga e gjithë bota. A është shumë që të kërkojmë një zonë ndalim fluturimi mbi Ukrainë për të shpëtuar jetë njerëzish?! Diçka që do të bënte të mundur që Rusia të mos kishte më mundësi të terrorizonte qytete. Nesë kjo është shumë, ne ofrojmë një alternativë. Ne kërkojmë avionë luftarakë që mund të ndihmojnë Ukrainën dhe Europën. Kemi nevojë për të mbrojtur qiejt tanë dhe për këtë kam nevojë për ndihmën e një vendim tuajin”, tha ai.
Por Shtetet e Bashkuara i kanë hedhur poshtë tashmë këto kërkesa të Kievit. Uashingtoni thotë se përcaktimi i një zone të ndalim-fluturimit mbi Ukrainë, mund të bëhej shkak për një luftë më të gjerë në Europë. Për sa i takon avionëve luftarakë, Shtetet e Bashkuara mendojnë se sot Ukrainës i nevojiten më shumë armatime të vogla si armë antitank e anti-ajrore, për t’u përballur me agresionin rus.
Zoti Zelensky falenderoi Shtetet e Bashkuara për ndihmën e jashtëzakonshme që i kanë dhënë Ukrainës gjatë kësaj periudhe të vështirë. Por ai bëri thirrje për sanksione edhe më të ashpra ndaj Rusisë.
“U bëj thirrje për të bërë më shumë. Nevojiten sanksione të reja derisa makina ushtarake ruse të ndalet. Duhen kufizime ndaj të gjithë atyre ku bazohet ky regjim. Ne propozojmë që Shtetet e Bashkuara të vendosin sanksione ndaj të gjithë atyre politikanëve ruse në detyrë dhe ndaj atyre që nuk kanë ndërprerë lidhjet me ata që janë përgjegjës për agresionin ndaj Ukrainës, nga anëtarët e Dumës ruse, tek zyrtari më i fundit që ka mungesë morali për të ndalur këtë terror shtetëror. Të gjitha kompanitë amerikane duhet të largohen nga Rusia”.
Sipas Presidentit Zelenskyy që nga fillimi i agresionit më 24 shkurt trupat ruse kanë lëshuar deri tani 1 mijë raketa ndaj Ukrainës. Pak përpara se të mbyllte fjalimin e tij zoti Zelenskyy i ftoi ligjvënësit të ndiqnin disa pamje filmike të asaj që ai e quajti jo vetëm një sulm ndaj Ukrainës e vlerave të këtij vendi, por edhe Evropës. Pamjet rrëfenin dhunën që ka përfshirë vendin prej 3 javësh, duke lënë pas shkatërrim e viktima të pafajshëm, e nxitur largimin e më rreth 3 milionë njerëzve nga Ukraina.
Pjesën dërrmuese të fjalimit zoti Zelenskyy e mbajti në gjuhën e vendit të tij, por në fund iu drejtua me një mesazh në anglisht Presidentit amerikan.
“President Biden, ju jeni udhëheqësi i një vendi të madh, por u kërkoj të bëheni udhëheqësi i botës. Dhe të jesh udhëheqës i botës do të thotë të jesh udhëheqësi i paqes……Lavdi Ukrainës..!”
Sot Presidenti Biden njoftoi gjatë një fjalimi në Kongres, një ndihmë të re në armatime për Ukrainën prej rreth 800 milionë dollarësh, çka e çon totalin e ndihmës së ofruar vetëm në javën e fundit në 1 miliard dollarë.
Javën që vjen Presidenti Joe Biden do të udhëtojë drejt Evropës për të biseduar me udhëheqësit evropianë rreth sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës. Ai pritet të zhvillojë bisedime me udhëheqësit e NATO-s dhe të Bashkimit Evropian gjatë një takimi të nivelit të lartë në Bruksel më 24 mars. Po kështu zoti Biden do të ndjekë një takim të planifikuar të Këshillit Evropian, ku po bëhen përpjekje për të vendosur sanksione të mëtejshme ndaj Rusisë, si dhe për ndihma humanitare për Ukrainën.