Kryeministrat e Polonisë, Republikës Çeke dhe Sllovenisë zhvilluan një takim me Presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelenskyy në Kiev të martën, në shenjë mbështetjeje për vendin e sulmuar nga Rusia edhe pse bombardimet janë afruar pranë qendrës së qytetit.
Your browser doesn’t support HTML5
Tre udhëheqësit zhvilluan një udhëtim disa orësh me tren pavarësisht shqetësimeve brenda Bashkimit Evropian lidhur me rreziqet e sigurisë së udhëtimit brenda një zone lufte.
Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki, shkroi në median sociale mbrëmjen e së martës se ai, Zëvendëskryeministri Jaroslaw Kaczynski dhe liderët çekë dhe sllovenë ishin në Kiev.
“Këtu, në Kievin e shkatërruar nga lufta, po shkruhet historia. Pikërisht këtu, liria lufton kundër botës së tiranisë. Këtu, e ardhmja e të gjithë neve varet në balancë”, shkroi zoti Morawiecki në rrjetin Twitter.
Kjo simbolizon mbështetjen e fortë për Ukrainën, ndërsa udhëtimi i gjatë me tren nga Polonia në Kiev dërgoi mesazhin se pjesa më e madhe e vendit ende mbetet në duart e Ukrainës.
Presidenti Zelenskyy postoi një video në Facebook ku shihet i ulur rreth një tavoline me udhëheqësit dhe disa zyrtarë të tjerë duke i informuar ata për zhvillimet e luftës. Ai shprehu mirënjohje për vizitën e tyre, duke e quajtur atë një “dëshmi të fuqishme mbështetjeje”.
Udhëheqësit e Polonisë, së bashku me Kryeministrin Petr Fiala të Republikës Çeke dhe Kryeministrin Janez Jansa të Sllovenisë, thanë se ishin në një mision të BE-së. Por zyrtarët nga blloku 27 anëtarësh këmbëngulën se treshja e kishte ndërmarrë udhëtimin në mënyrë të pavarur.