Nga Brazili në Bangladesh, nga Nepali në Vietnam, Departamenti amerikan i Shtetit nderoi 12 gra nga e gjithë bota për luftën e tyre kundër korrupsionit, dhunës gjinore dhe diskriminimit për të ndërtuar shoqëri më të hapura dhe paqësore. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Katherine Gypson, sjell më shumë hollësi për ceremoninë e 16 vjetore të Çmimit Ndërkombëtar për Gratë e Guximshme.
Your browser doesn’t support HTML5
Një nderim për gratë…dhe një kujtesë e zymtë për rreziqet me të cilat përballen ato në mbarë botën. Vetëm disa ditë pasi gratë marshuan nëpër rrugë për Ditën Ndërkombëtare të Gruas, Departamenti Amerikan i Shtetit nderoi dymbëdhjetë gra anembanë globit për punën e tyre të guximshme, ndërsa u ndalën të kujtojnë gratë e Ukrainës.
“Miliona gra ukrainase kanë ikur nga vendi me familjet e tyre ndërsa të tjera kanë qëndruar për të ndihmuar vendin të luftojë kundër sulmit të pajustifikuar dhe të paprovokuar të Rusisë. Kam parë shumë prej tyre në kufirin me Poloninë vetëm rreth një javë më parë. Dhe është diçka që të mbetet e ngulitur në mendje dhe kujtesë - ndërsa sheh gra që vijnë përtej kufirit, fëmijët e tyre në këmbë, duke u larguar nga agresioni rus”.
Mbështetja për shoqëri më paqësore dhe të hapura është një temë e përbashkët mes dymbëdhjetë grave të nderuara këtë vit.
“Gratë e Guximshme të këtij viti po e bëjnë botën tonë më paqësore, më të drejtë në të katër kontinentet. Ato po trajtojnë sfida komplekse nga krimi i organizuar deri te degradimi i mjedisit. Ato po avancojnë të drejtat e grave dhe vajzave, të komumitetit LGBTQI, plus njerëzve dhe grupeve të tjera të që nuk gëzojnë të drejta të plota Dhe pavarësisht kërcënimeve, dhunës apo burgosjes, ato vazhdojnë.”
Nga aktivistja liberiane për të drejtat e grave Facia Boyenoh Harris, tek parlamentarja moldave Doina Gherman…këto gra kanë ridimensionuar guximin, tha folësja kryesore, Najla Mangoush, ministrja e parë e jashtme femër e Libisë.
“Kur vendos të dëgjosh të vërtetën brenda vetes tënde, kur është e vështirë të flasësh, kur vendos të jesh grua në poste të larta, duke e ditur se kjo do të thotë se do të jesh gjatë gjithë kohës nën mikroskop, duke u gjykuar, kritikuar dhe ngacmuar, është guxim. Gratë që vendosin t’i rrezikojnë të gjitha dhe t'i lënë vendet e origjinës, strehën e tyre të sigurt dhe kërkojnë të realizojnë potencialin e tyre diku tjetër - ky është guxim.”
Zonja e Parë Jill Biden tha se tregimi i këtyre historive të guximit ndihmon gratë kudo.
"Për të gjitha gratë e guximshme, ato që luftojnë padrejtësinë në Amerikë, apo që shpresojnë të mësojnë në Lindjen e Mesme, duke punuar për demokracinë dhe stabilitetin në Evropë, duke mbrojtur familjet e tyre në Afrikën nën-Sahariane, ose duke folur kundër dhunës gjinore në Azi, ne do të vazhdojmë të punojmë me pasion dhe këmbëngulje për zhvillimin dhe demokracinë për të ndaluar ata që duan t'jua mbyllin gojën dhe ne do të tregojmë historitë tuaja - edhe kur ju nuk mundeni".
Më shumë se 167 gra nga dhjetëra vende janë nderuar me këtë çmim që nga viti 2007.