Ukraina kërkon armë ndërsa Rusia bombardon civilët

Your browser doesn’t support HTML5

Ukrainasit kërkojnë më shumë armë për të mbrojtur vendin e tyre nga sulmet dy javë pasi filloi agresioni rus ndaj vendit të tyre. As spitalet nuk janë të sigurt nga sulmet ajrore në Ukrainë. Ky ishte një spital për fëmijë në qytetin port jugor Mariupol. Bomba shkaktoi një krater disa metra të thellë.

Forcat ruse rrethojnë qytetin dhe grupet e të drejtave thonë se taktikat e rrethimit atje i kanë lënë banorët pa ujë të pijshëm ose energji elektrike për ditë të tëra.

“Bombardimi i pamëshirshëm nga Rusia, përfshirë civilët që përpiqen të largohen, i pengon njerëzit të shpëtojnë në mënyrë të sigurt nga kushtet e ferrit që ata kanë krijuar”, tha sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Nënpresidentja amerikane Kamala Harris mbërriti në Poloni, ku Pentagoni sapo dërgoi dy bateri raketash Patriot për të mbrojtur aleatin e NATO-s.

Presidenti i Ukrainës u ka kërkuar aleatëve të krijojnë një zonë ndalim-fluturimi dhe të ofrojnë më shumë avionë luftarakë të prodhimit rus që përdor ushtria e saj për të mbrojtur qytetarët nga sulmet ruse.

Kjo ka të bëjë me jetën e njerëzve! Ne ju kërkojmë të merrni një vendim të shpejtë, mos e zhvendosni përgjegjësinë. Na dërgoni avionët luftarakë!”, tha presidenti ukrainas.

Shtetet e Bashkuara hodhën poshtë një ofertë të papritur nga Polonia, aleate e NATO-s për të dërguar të gjithë avionët e tyre MiG-29 në një bazë amerikane në Gjermani, duke e quajtur "rrezik të lartë" që pilotët amerikanë t'i transportojnë ato në Ukrainë.

“Ne duhet të jemi të kujdesshëm për çdo vendim që marrim që të mos e përkeqësojmë mundësinë për përshkallëzim”, tha zëdhënësi i Pentagonit John Kirby.

Zyrtarët amerikanë thonë se do të vazhdojnë të konsultohen me homologët e tyre polakë ndërsa Shtetet e Bashkuara po dërgojnë qindra miliona dollarë ndihmë dhe armë në Ukrainë.

Ndërsa Pentagoni ka thënë se shtimi i avionëve nuk është mënyra më efektive për të ndihmuar në mbrojtjen ajrore të Ukrainës, Shtetet e Bashkuara kanë dërguar sisteme anti-ajrore Stinger.

Britania e Madhe tani thotë se do të sigurojë sisteme të mbrojtjes tokë-ajër për Ukrainën.

"Pra, ne besojmë se mënyra më e mirë për të trajtuar këtë kërcënim është të ndihmojmë ukrainasit me sistemet e mbrojtjes Starstreak që ne do të dërgojmë", tha Elizabeth Truss, sekretare e Jashtme e Britanisë.

Dy javë pas luftës, shumë ukrainas po strehohen nën tokë, duke shpresuar se mbrojtja e vendit të tyre do të jetë e mjaftueshme për t'i mbajtur ata gjallë.