Byroja Federale e Hetimeve, FBI, thotë se ka dyfishuar numrin e hetimeve për terrorizimin e brendshëm, gjatë 18 muajve të fundit. Ekspertët kundër terrorizmit tregojnë për Zërin e Amerikës se teknika të përdorura në vende të tjera për të luftuar këtë problem në rritje, po i përdorin edhe në Shtete të Bashkuara.
Your browser doesn’t support HTML5
Në Abyan të Jemenit, të rinjtë mësojnë se si të ndërtojnë mure. Sipas Loujain Kiki, nga Qendra Ndërkombëtare për Fenë dhe Diplomacinë (ICRD) kjo ndikon që të rinjtë të formojnë ndjenjën e tyre të identitetit dhe komunitetit.
“Ne e përdorim këtë strategji për të rritur qëndrueshmërinë ndaj ekstremizmit të dhunshëm, veçanërisht në komunitetet me të rinj të cilët janë më të prekshëm”, thotë ajo.
Dy të tretat e të rinjve të anketuar në Abyan thonë se ky program u jep atyre më pak mundësi për t’u bashkuar me një grup të armatosur.
Qendra Ndërkombëtare për Fenë dhe Diplomacinë thotë se partneriteti me udhëheqësit fetarë për të çrrënjosur ideologjinë e dhunshme ekstremiste është shumë i rëndësishëm.
“Udhëheqësit fetarë nëse kanë lidhje të forta me zonën e tyre, ata mund të zbulojnë shenja të hershme paralajmëruese të radikalizimit”, thotë Loujain Kiki, nga ICRD.
Tani Qendra Ndërkombëtare për Fenë dhe Diplomacinë po përdor të njëjtën strategji në tetë qytete amerikane.
“Është shumë e rëndësishme të identifikohen ata njerëz që kanë autoritet dhe ndikim. Dhe më pas këta drejtues fetarë të mund të përdorin besimi për të punuar kundër përdorimit të dhunës”, thotë James Patton, President i ICRD.
Po zoti Patton e pranon se duhet kujdes, pasi aktivistë të krahut të djathtë përdorin besimin e tyre të krishterë për të justifikuar dhunën, siç ndodhi gjatë trazirave të vitit të kaluar në Kongresin amerikan.
Ekspertët thonë se fenomeni njihet si “nacionalizëm i krishterë” dhe mund të kombinohet me besimet e supremacisë së bardhë, siç është grupi “Proud Boys” (Djemtë Krenarë).
Qëllimi për këto grupe, sipas eskpertëve, është që të bëjnë SHBA-në një komb “të bardhë, të krishterë”.
“Ekstremistët e dhunshëm me motive racore ose etnike, që mbrojnë epërsinë e racës së bardhë dhe ekstremistët e dhunshëm anti-qeveritarë; në mënyrë specifike milicitë, paraqesin kërcënime vdekjeprurëse”, thotë Timothy Langan, nga Divizioni Kundërterrorizmit në FBI.
Ekspertja kundër terrorizmit, Vidhya Ramalingam, argumenton se ideologjitë e dhunshme ekstremiste pothuajse kanë të njëjtin burim.
“Ndodh nga dëshira për të qenë pjesë e diçkaje më të madhe se vetja. Ne nuk kemi nevojë për mekanizma të veçantë për të luftuar xhihadizmin apo neo-nazizmin. Në fund të fundit, ajo që na nevojitet këtu janë ndërhyrje shumë të ngjashme”, thotë ekspertja.
Edhe James Patton nga Qendra Ndërkombëtare për Fenë dhe Diplomacinë shpreson se rezultatet do të jenë të prekshme.
“Për mua do të ishte sukses nëse do të dëgjoja argumente brenda një grupi ku njerëzit thonë se e dini çfarë: vetëm sepse unë besoj tek dikush nuk do të thotë se duhet të mbroj dikë tjetër.”
Sipas ekspertëve është koha që metodat të cila kanë funksionuar diku tjetër të përdoren brenda Shteteve të Bashkuara.