Roli i mësimit në distancë dhe sfidat e arsimit gjatë pandemisë në Kosovë

Your browser doesn’t support HTML5

Roli i mësimit në distancë dhe sfidat e arsimit gjatë pandemisë në Kosovë

Në vitin 2018, pasi mbaroi studimet për Master në Shtetet e Bashkuara, Antigona Uka u kthye nga Amerika në Kosovë me disa projekte për zhvillimin e mësimit online. “Qendra e Kosovës për Mësim në Distancë”, një organizatë e themeluar nga ajo ndihmoi sistemin e arsimit në Kosovë, veçanërisht gjatë periudhës sfiduese të pandemisë COVID-19, përmes trajnimeve për mësimdhënës dhe identifikimin e nxënësve që nuk kanë qasje në mësimin në distancë.

Antigona Uka u njoh për herë të parë me mësimin në distancë gjatë studimeve në Universitetin “West Liberty” të Virxhinias Perëndimore. Pas diplomimit më 2018, ajo vendosi që përvojën e fituar në Shtetet e Bashkuara ta praktikojë në Kosovë. Zonja Uka thotë se vendimi për t’u kthyer nuk ishte aspak i vështirë.

“Sepse arsyeja pse kam ardhur ishte gjetja e mënyrave të reja për të kontribuar në Kosovë. Asnjëherë nuk kam menduar të qëndrojë diku tjetër. Besoj se kjo ishte arsyeja pse vendimi ka qenë shumë i lehtë”, thotë ajo.

Për të realizuar idenë e saj, zonja Uka themeloi “Qendrën për Mësim në Distancë“. Në atë kohë mësimi online ishte një alternativë e panjohur për Kosovën. Por, dy vite pas krijimit të kësaj organizate, Kosova u përball me pandeminë COVID-19, një periudhë sfiduese për mësimdhënien.

Shkollat në Kosovë u mbyllën shpesh, oraret u shkurtuan dhe mësimi filloi të jepej në distancë përmes emisioneve televizive dhe platformave të ndryshme interaktive.

“Ka qenë shumë e vështirë sepse ishte një kapërcim i menjëhershëm për të gjithë sektorin e arsimit. Jo të gjithë mësimdhënësit kanë qenë të përgatitur, disa nuk kanë pasur vullnetin sepse nuk besonin se pandemia do të zgjasë shumë. Por pandemia zgjati shumë, ndërsa këta mësimdhënës nuk kishin mbajtur mësim online asnjëherë. Kosova si një vend që nuk ka pasur asnjëherë shkollë virtuale apo përmbajtje dixhitale për mësim online e ka pësuar më tepër për shkak se gjithçka është dashur të krijohet aty për aty”, thotë ajo.

Mungesa e burimeve të duhura për mësim në distancë bëri që fëmijët të humbasin shumë gjatë periudhës së pandemisë, thotë zonja Uka.

“Në Kosovë kemi statistika se në fillim të pandemisë diku 14 për qind e fëmijëve nuk kanë marrë fare pjesë në mësim në distancë ose online. Domethënë kanë munguar totalisht në procesin mësimor. Kjo është humbje e madhe për të gjithë Kosovën”, thotë zonja Uka në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Aktualisht Qendra e Kosovës për Mësim në Distancë ofron trajnime të mësimit dixhital për mësimdhënësit, si dhe identifikon nxënësit që nuk kanë qasje në teknologji për pjesëmarrje në mësimin dixhital.

Zonja Uka thotë se nëse më shumë profesionistë të rinj që ndodhen jashtë Kosovës kthehen në vendlindje me projekte në fusha të ndryshme, sfidat e shumta të shoqërisë do të tejkaloheshin më lehtë.

“Në Kosovë ndoshta është më lehtë të krijosh punë sepse ka nevojë për shumë gjëra, sesa të gjesh një punë. Të rinjtë më shumë kërkojnë punë, sesa shohin mundësitë për të krijuar një”, përfundon ajo.

Zonja Uka i bëri këto komente gjatë një vizite në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku mori pjesë në Konferencën Vjetore të Mësimit Dixhital të mbajtur në Austin të Teksasit. Ajo thotë se ngjarje si kjo nxjerrin në pah rolin e aftësive dixhitale.

“Ne kemi parë se kjo është ndër kërkesat kryesore të punëdhënësve por edhe nëse dëshiron të kesh një biznes tëndin apo të udhëheqësh çfardo sektori është mirë të jesh i përgatitur në këtë fushë. Sa më herët që nxënësit të takohen me mënyra të ndërtimit të aftësive dixhitale, aq më i lehtë do të jetë kapërcimi në të ardhmen në epokën që po jetojmë”, thotë ajo.

Vizioni i “Qendrës së Kosovës për Mësim në Distancë“ është që një ditë vendi të ketë një shkollë virtuale që do të mundësonte mësimin e kombinuar në klasë dhe në distancë.