Vazhdojnë protestat në gjithë Shqipërinë kundër rritjes së çmimeve 

Disa mijëra protestues u mblodhën sërish për të dytën ditë në Tiranë dhe qytete të tjera në gjithë vendin kundër shtrenjtimit të karburanteve dhe ushqimeve, duke i kërkuar qeverisë mbikëqyrjen e tregjeve.

Protestuesit para kryeministrisë në shëtitoren “Dëshmorët e Kombit” edhe sot u bashkuan prej njoftimeve në rrjetet sociale, ndërsa shumë prej tyre mbanin në duar parrulla kundër shtrenjtimit të naftës dhe nënvlerësimit që, sipas tyre, po bëjnë autoritetet shtetërore ndaj spekullimeve në treg.

Mikrofonin e morën spontanisht qytetarë të zakonshëm, që shprehën zemërimin dhe pasigurinë e tyre përballë shtrenjtimit të jetesës.

Ata janë punëtorë të thjeshtë dhe përfaqësues sindikalistë, studentë dhe pedagogë, artistë të njohur dhe pensionistë.

Të gjithë folësit shprehën njëlloj kërkesa për mbrojtjen e shtresave të varfëra nga shtrenjtimi i tregjeve, duke hedhur poshtë shpjegimet e qeverisë se luhatjet e tregut ka ndodhur prej luftës në Ukrainë.

Ndërsa protesta vazhdonte në sheshin para selisë së qeverisë, kryeministri Edi Rama premtoi në një bisedë me ndjekësit përmes Facebook-ut se brenda 48 orësh qeveria do të publikojë masat konkrete për të zgjidhur problematikën me çmimet.

“Nafta është mall. Themi që ky vend është në luftë, jo në sensin që ka marrë armët, po ka ardhur lufta në këtë vend, me çmimim e naftës në radhë të parë, prandaj do ta trajtojmë, për të ndaluar çdo tendencë spekullimi” - tha kryeministri Rama.

Ai theksoi se brenda 48 orësh do të krijohet një akt normativ, një kuadër rregullimesh, me të cilin qeveria do të hyjë drejtpërdrejt në bordin kombëtar të furnizimit me karburant.

“Furnizuesit do të jenë në tavolinë me qeverinë për të bërë transperencën e çmimeve në mënyrë të përditshme dhe marzhi i fitimit do të caktohet në tavolinë, e do të flitet për të gjitha aspektet, deri te pika e shitjes. Nuk do të lejojmë që në pikën e furnizimit të shfaqen çmime të pamiratuara më parë e do të përcaktojmë masa ndaj kujtdo që shkel masat e këtij bordi. Sot nuk është dita për të fituar, por për të rezistuar” - theksoi zoti Rama.

Ai shtoi se çmimet e naftës edhe në Shqipëri po bien, por qeveria do të hyjë në bordin kombëtar për emergjëncën e furnizimit me karburant dhe askush nuk do mund të spekulojë.

“Gjëja me e rëndë që kemi përpara potencialisht është mungesa fare e naftës dhe e energjisë. Problem kryesor që kanë vendet është se dhe nuk e gjejnë dot sasinë e nevojshme. Bota në një krizë energjitike dhe lufta këtë krizë e ka thelluar maksimalisht” – theksoi kryeministri shqiptar.

Zoti Rama tha se do të vendosen kursime të mëdha në qeveri dhe në administratë për energjinë.

Protesta dhe fjala e kryeministrit u zhvilluan njëkohësisht dhe duket se premtimet zotit Rama nuk i qetësuan protestuesit, derisa ata njoftuan vazhdimin e protestës nesër në të njëjtën orë para selisë së qeverisë.

Tensionet mes policisë dhe protestuesve u përsëritën të enjten në mbrëmje, ashtu si edhe një natë më parë, kur u ndaluan një numër prej tyre.

Policia shoqëroi të rinj, që u përpoqën të bllokonin kryqëzime rrugësh në Tiranë pas protestës.

Forcat e rendit deklaruan se garantojnë protestat paqësore, por nuk do të tolerojnë aktet e dhunshme në dëm të normalitetit urban.

Një seri protestash u zhvilluan edhe sot në shumë qytete të Shqipërisë me kërkesa të njëjta kundër rritjes së çmimeve të karburanteve dhe ushqimeve.

Në Kukës një grup qytetarësh bllokuan Rrugën e Kombit, që lidh Shqipërinë me Kosovën.

Një tjetër protestë u zhvillua në Lezhë me bllokimin e një rruge kryesore, ku qytetarëve iu bashkua edhe një drejtues i komunitetit kristian.

Protestuesit në Lushnje bllokuan një rrethrrotullim të rëndësishëm pranë autostradës.

Protesta të ngjashme janë zhvilluar edhe në Durrës, Vlorë, Tepelenë, Sarandë e Shkodër, Devoll dhe në të gjithë vendin.