Bisedimet Lavrov-Kuleba pa rezultat

Ministri i Jashtëm i Ukrainës tha se bisedimet me homologun rus nuk sollën ndonjë përparim për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë pas ndërhyrjes së Rusisë. Ministrat e jashtëm të Rusisë dhe Ukrainës u takuan të enjten në Turqi. Takimi shënon bisedimet e para të nivelit të lartë mes dy vendeve që kur Rusia sulmoi Ukrainën dy javë më parë.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, tha pas takimit se nuk kushte arritur ta bindë homologun rus për krijimin e një korridori humanitar për evakuimin e popullsisë civile në qytetin Mariupol.

Dmytro Kuleba

“U përpoqa në mënyrën më të mirë që të gjeja zgjidhje diplomatike lidhur me tragjedinë humanitare në fushën e betejës dhe qytetet e rrethuara. Erdha në këtë takim me një qëllim humanitar për të siguruar një korridor humanitar nga qyteti Mariupol për popullsinë civile që dëshiron të largohet. Fatkeqësisht, ministri Lavrov nuk ishte në gjendje të angazhohej në këtë drejtim, por tha se do të fliste me autoritetet përkatëse për këtë çështje.”

Bisedimet e së enjtes vijnë ndërsa forcat ruse intensifikuan rrethimin e qyteteve ukrainase .

Sergey Lavrov

“Folëm për çështjet humanitare dhe masat që po ndërmerr ushtria jonë në terren për të lehtësuar gjendjen e civilëve, të cilët po përdoren kryesisht si mburoja njerëzore nga të ashtuquajturat batalione vullnetare dhe mbrojtja territoriale”, tha pas takimit kryediplomati rus Sergey Lavrov.

Takimi i zhvilluar në Antalia u ndërmjetësua nga ministri i jashtëm turk Mevlut Cavusoglu. Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, tha se Moska nuk është e gatshme të ofrojë një armëpushim.

“Ata kërkojnë që Ukraina të dorëzohet por kjo nuk do të ndodhë. Ukraina është e fortë dhe po lufton. Ukraina bëri që planet fillestare të Rusisë të dështojnë. Jemi të gatshëm të kërkojmë zgjidhje të balancuara diplomatike për t'i dhënë fund kësaj lufte, por nuk do të dorëzohemi”.

Takimi mes ministrave të jashtëm të Rusisë dhe Ukrainës shënon bisedimet e para të nivelit të lartë mes dy vendeve që kur Rusia sulmoi Ukrainën dy javë më parë.

Turqia, anëtare e NATO-s, e cila ka krijuar lidhje të ngushta me Rusinë dhe Ukrainën, po përpiqet të balancojë marrëdhëniet me të dy vendet.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden përshëndeti të enjten "përpjekjet e Turqisë për të mbështetur një zgjidhje diplomatike të konfliktit", pas një telefonate që zhvilloi me Presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, thuhet në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë.

Deklarata thotë se dy udhëheqësit gjithashtu "afirmuan mbështetjen e tyre të fortë" për Ukrainën, "nënvizuan nevojën për një pushim të menjëhershëm të agresionit rus dhe mirëpritën përgjigjen e koordinuar ndërkombëtare ndaj krizës".

Ministri i Jashtëm turk ka thënë se qëllimi i takimit mes kryediplomatëve të Moskës dhe Kievit është për t’i hapur rrugën një samiti të mundshëm mes presidentëve të Rusisë dhe Ukrainës me ndërmjetësimin e presidentit turk.