Gjermania nuk do të dërgojë avionë luftarakë në Ukrainë, tha të mërkurën Kancelari Olaf Scholz, ndërsa Shtetet e Bashkuara refuzuan një ofertë nga Polonia për të transferuar avionët e tipit MiG-29 të prodhimit rus në një bazë amerikane në Gjermani, si një mënyrë për të ndihmuar forcat ukrainase.
Duke folur në një konferencë të përbashkët shtypi me Kryeministrin kanadez Justin Trudeau, zoti Scholz tha se Gjermania kishte ofruar lloje të ndryshme pajisjesh mbrojtëse dhe kishte dërguar armë për Ukrainën.
“Ne duhet të shqyrtojmë me shumë kujdes atë që bëjmë konkretisht dhe sigurisht avionët luftarakë nuk janë pjesë e kësaj”, tha Kancelari Scholz.
Ukraina u ka kërkuar vendeve perëndimore avionë luftarakë për të luftuar ndërhyrjen ruse një që ka detyruar largimin e më shumë se dy milionë refugjatëve nga vendi.
Polonia tha të martën se ishte gati të transferonte të gjithë avionët e saj të tipit MiG-29 në bazën ajrore Ramstein në Gjermani dhe t'i vendoste në dispozicion të Shteteve të Bashkuara ndërsa u bëri thirrje vendeve të tjera të NATO-s të bëjnë të njëjtën gjë. Pentagoni e hodhi poshtë ofertën si të papërshtatshme, ndërsa Rusia tha se veprimi do të ishte i rrezikshëm.
Udhëheqësi kanadez Justin Trudeau tha se vendi i tij po dërgonte në Ukrainë pajisje shtesë prej 39 milionë dollarësh, përfshi kamera që përdoren në dronë.
“Ne duam që të zbusim konfliktin”, tha zoti Trudeau.
Kancelari Scholz dhe Kryeministri Trudeau thanë se kishin diskutuar bashkëpunimin në rrafshin energjetik, objektivat për klimën si dhe krizën në Ukrainë, e cila ka nxjerrë në pah varësinë e Evropës dhe veçanërisht të Gjermanisë nga importet e naftës dhe gazit nga Rusia.
Kanadaja është prodhuesi i katërt më i madh i naftës në botë dhe prodhuesi i gjashtë më i madh i gazit natyror.
I pyetur nëse Gjermania ishte kategorikisht kundër një ndalimi të importeve të energjisë nga Rusia, Kancelari Scholz tha se ai kishte disa muaj që punonte për uljen e varësisë nga importet e karburanteve fosile.